Tema: Poezi Për Ëndrra dhe Shpresë

Më Thuaj Xhames Xhois

(Një bisedë pa zë me James Joyce në ditëlindjen e tij)
Nga Fatmir Terziu

Më thuaj Xhames Xhois* si ta njoh qytetin tim,
më dhemb në shpirt,
e gjej në heshtjen tënde e lexoj me mend
por kjo më tremb,
më thuaj të lutem një zgjidhje,
të gjej mes poezisë këtë lidhje.

Në vargun tënd del serbes
një shpirt i zi si pija tipike “Guinness”
një pijanec lan fytyrën me ujin e ndotur;
një wordsmith lëviz i ndrojtur,
një magjistar dhe një zjarrndezës,
një lypsar me hundë të ftohur,
i merr ti dhe pa frikë u jep shije metafore,
por aty s’ka bukë me lista në fletore.

E di që ka dhe zonja me peliçe
bartës plot mendjelehtësi që u krekosen me salçiçe,
anëtarë të shëndoshë që zgjidhen me mend
e ti i ul si kriça në Parlament
me të mësuarit e tyre e di që s’ke hall
por në qytetin tim kjo është plagë.

Më thuaj si t’ja zbus dhimbjen atje në Shkumbin
më jep një fjalë nga fjalët e tua në Dublin...


James Joyce, lindi më 2 Shkurt 1882. Është novelist dhe poet irlandez i njohur për “Uliksin”.

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1