Tema: Poezi Për Shoqerinë

Letrat

E zverdhur, e lodhur, e paqtë. Letra
shtrihet gjerë e gjatë,
në arkivolin e xhamtë pluhuri bën rrokadë
me një të shkruar të largët.

Është letra e parë,
e mbajtur në këmbë të lehta pëllumbi,
fjalë picunarë
orveta të shenjëzuara plumbi,
unë lodh veten me mijëra fjalë,
në një itinerar të zhdërvjedhët që më shkundi
nga Persia e lashtë.

Dhe vazhdoj të mendoj me vete,
në qoftë se ne do të mbanim letrat ende tani,
si ditët e hershme, të fëmijërisë
me letrat e shumta s’do të ishte çudi,
do ti ngjiteshim pa shkallë çatisë.

Më kujtohet breshëri e rrezet e diellit
që i frymëzonin ato fjalë me krahë,
shpirti i hapësirave të pëllumbave qiellit
që iu pasua më pas avionëve në garë
që sillnin edhe dashuritë e zëna fillit,
nga betejat me ushtarë të vrarë.

Përkulem në heshtje mbi këtë letër,
fytyra merr ngjyrimin e saj të verdhë,
ndjej lotin e tharë me siguri patjetër,
të dashurive që s’trokitën në derë...

Është një ditë e pranvertë londineze
në muze shoh kaligrafinë e yjeve që derdhen
djegur nga një zjarr indian mbi një beze
dhe unë i përhumbur vazhdoj të pyes veten
a duhej ti mbajmë letrat ende?

- poezi nga Fatmir Terziu


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  3.7 / Votuan:  3