A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Tema: Poezi Per Nënën

Letër Nënës

E dashur nënë!
Udhëzimet e tua i kam bërë vijëza
të bardha,
të trasha.

Këtu i quajnë kalim-zebra!
Ndërsa përkëdheljet e tua
i mbaj astar tek zemra,
ejulimë
e shkulur nga Penelopa
mbi mermerin metaforë Elxhin.
E dashur nënë!

Sot kam etje të notojë penën mbi një shkrim
si ajo “kaligrafia” jote e vjetër
kur shëtisje bishtshtogun me nxitim,
kam mall të të shkruaj një letër
për fatin e shkrimit tim
patjetër,
e di që më ndjek papërtim
në “Skype”
kur kokrizat dixhitale përcjellin drejt çmendurisë
fjalët gjymtake.

E unë bëj art,
kollomoq i shkërmoqur me fjalë
përmes imagjinatës këtu në Londër,
duke “nakatosur” përditë e ngadalë
lëmin,
ku mblodhëm bashkë
përtej hallit
grurin dhe fjalën e rallë,
Shenjtërinë e Vendit tonë, kolmën e barit.

E dashur nënë!
Çdo ditë më shumë ankth, më shumë ankth,
dorashka të errëta më shtyjnë drejt tretjes,
çdo shall,
zymton bardhësinë e Qeleshes, Plisit
shoh se si të gjithë po i largohemi
farës së fisit.

Jam i etur për të shkruar një letër
një letër të lirë nga dyshimi,
për të rishkruar atë ninull të ëmbël
jashtë dhimbjes e pikëllimit
të kompozuar me Gjuhën e Nënës.
Vetëm ajo do të jetë vepër mbi veprat
e pastaj le të shuhen letrat...

- poem written by Fatmir Terziu


Choose star rating

Rating:  4.8 / Votes cast:  21





Kjo faqe përdor cookies vetëm për reklama dhe statistika. Kjo faqe nuk mbledh, nuk përdor dhe nuk shpërndan të dhënat tuaja. Kompanitë e palëve të treta që përdorin cookies janë: Google, Taboola dhe MGID.
Më shumë info  
teksteshqip.com © 2007 - 2019