>
LETERSISHQIP

Kuja

Përrenjtë. Akorde të reja lëshojnë zgradhave
fjetanakët e zgjuar kukojnë pak çaste
nga muzika e tyre letargjike
syhapjen.

Mbi kapakë të likenizuar
shtojca myshkore zhgarraviten
jetë mbi kreshta. Shkruhet historia
përballë lisave të moçëm
ku guduliset hija...
... rrjedha gulmon mbi kukumale, mbi kukurbitace.

E fryra,
përtej kukuliqe pluskon shkumë
kulaçe ëndrash me çerep e saç
kaheret vjeshta
e plugoset mbi vjersha.

Kërkohet stuhia e radhës, mbi fletore të vijëzuara,
baltosje me botë të rrëshqitshme, të ujtë
kurmi dirigjon piskamën e politikës,
zilka të shushunjta përrenjve
të stinës. Vetëm bujë!

Këtë herë jeni vetë baltosja e humbur,
Botëhumbja. Kuja e duhur.

Nëse kularshëm ngisni më gjatë
do mbeteni përrenj të thatë.