Lindën gjithandej Kosovës dhe përtej Atlantikut, mbinë në fushëbetejën e Kosharës - ballë për ballë armikut,
hapën shtegun e gjërë për armë dhe vullnetarë, përgjatë kufirit natyror shqiptaro-shqiptarë.
Ushtarët prij nga “Katana” - luftëtar komandues, me shigjeta shembën përdhe gurin kufitregues,
që përgjysmonte kombin - pa dëshirën e tij,
triumfi i pushtuesit – iu kthye n’disfatë atij.
Maleve dhe kodrave t’përgjakura stërgjyshore, luftëtarët trima u ndeshën me “ushtrinë hyjnore”, që nga “Rasa e Zogut”- n’trekëndëshin Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi,
deri te karakolli ”7 Korriku” – në “Qafën e Morinës”, n’kufi.
Ofanzivat e ngjeshura t’ushtrisë vendore thyenin rezistencat e bishave okupatore,
ndaj tërhiqeshin këmbadoras repartet ushtarake, duke lënë pas viktima dhe mjete luftarake.
Vullnetarët krenarë t’ushtrisë legjendare,
fituan dashurinë dhe bekimin e popullësisë shqiptare, për moralin e lartë - përball kuçedrës Serbi dhe idealin dardan - për çlirim, liri e pavarësi!
T’i lëmë kujtim ëndërrat e dëshmorëve dhe martirëve,
e vrojtimin ta shënjestrojmë tek brezat e t’rinjve, për t’rrëfyer vuajtjet e sakrificat e atdhetarëve, dhe gjakun e djersën e derdhur të forcave çlirimtare.