>
BIOSHQIP

Florenti: “Falë The Voice Ndihem Më I Formuar Profesionalisht”

09-08-2014
Fituesi i ‘The Voice of Albania 3’, Florent Abrashi, ka ndarë me dëgjuesit e emisionit “Lanco” në Top Albania Radio, eksperiencën e tij në spektaklin për talentë.

Ndërkohë që drejtuesja e emisionit, Amantia Bekteshi, kujton momentin që të katër anëtarët e jurisë kthyen poltronën për të parë djalin që po këndonte në “Blind Auditions”, këngëtari nga Gjakova tregon për ndjesinë që ka përjetuar në ato momente.

“Përfundimisht ishte një nga momentet më të bukura të jetës sime, pasi jo vetëm unë, por edhe shumë pjesëmarrës të tjerë kishim shumë pak pritshmëri. Pjesëmarrja ime në The Voice ishte një ndjesi dhe moment i papërshkrueshëm”, ka thënë ai.

I pyetur nëse Florenti krijoi vetëbesim në momentin që kaloi fazën e parë të “The Voice”, ai përgjigjet: “Siç ju thashë dhe pak më pare, pritshmëritë e mija ishin shumë të vogla. Unë jam tip që nuk krijoj shumë besim në vetvete në mënyrë që të mos zhgënjehem më pas. Por dua të theksoj që faza e ‘Blind Auditions’, është ndoshta faza më e lehtë pasi vështirësia e vërtetë vjen pas ‘Blind Auditions’”.

Po cili ka qenë ndryshimi që Florenti përjetoi mbas fitimit të The Voice of Albania, ku nga një djalë i thjeshtë 24 vjeçar në atë kohë e që kishte performuar në disa skena modeste, u bë zëri i preferuar i të gjithë shqiptarëve.

“Janë dy botë komplet të ndryshme. Fillimisht nga një rrymë Heavy Metal, kalova në një rrymë tjetër ajo e POP-it. Skenat në të cilat kam performuar më parë ishin tepër modeste. Dua të them që të dy rrymat muzikore janë shumë të bukura, por emocionet më të forta i kam marrë teksa këndoja POP në The Voice of Albania”.

“Nga ky program unë mësova se si të këndoja përpara një publiku të madh, se si të performoja me një orkestër profesionistësh. Por më e rëndësishmja është që, falë The Voice dhe Sidrit Bejlerit unë ndihem më i formuar profesionalisht”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Florenti ka theksuar se të jesh fitues i një talent shou të tillë si The Voice është shumë bukur, por ama askush nuk të përgatit për atë çfarë do të ndodhë pas The Voice. “Ajo cfarë të pret është një lodhje e jashtëzakonshme”, ka theksuar këngëtari.

Florenti gjatë intervistës na ka zbuluar gjithashtu se është duke punuar për dy projekte të reja muzikore ku një këngë i përket zhanrit “Heavy Metal” dhe kënga tjetër është Pop-Rock.

Fituesi i The voice of Albania 3 e mbyll intervistën e tij me një këshillë për të gjitha ata që akoma nuk kanë marrë pjesë në The Voice, duke thënë: “Duhet ta provoni The Voice, pa marrë parasysh talentin apo nivelin në të cilin jeni. Ditët që kaloni aty janë të magjishme pasi bëhesh pjesë e një familje të madhe. Pjesëmarrja në këtë program ju transformon profesionalisht. Duke qenë pjesë e këtij show ju fitoni miq dhe eksperienca te paharrueshme”.
(TCH)

Florenti: “Falë The Voice Ndihem Më I Formuar Profesionalisht”