>
BIOSHQIP

Flori: Kam Përdorur Kaçavidat Si Shkopa Xhezi

11-08-2012
Çdo projekt që krijon dhe interpreton, është e sigurt që "godet" menjëherë tek publiku dhe kjo sepse çdo gjë e bën me zemër. Me të njëjtin pasion duket se këngëtari Florian Mumajesi, ka punuar edhe për këngën e tij më të re, " Me zemër", të cilën ka pak ditë që e ka lançuar në treg. Me një klip e melodi krejt të veçantë, kënga duket se goditur edhe këtë herë në zemër të fansave të tij, gjë të cilën e vërtetojnë edhe klikimet në You tube. Kemi patur kënaqësinë ta kemi edhe herë tjetër mik të THASH&THEM, por këtë herë Flori Mumajesi na rrëfen karrierën e tij të gjatë muzikore dhe dashurinë e madhe për muzikën. Duke filluar nga kaçavidat që shpesh i përdorte si shkopa xhezi kur ishte fëmijë, e deri në ditët e sotme, kur është një nga këngëtarët më të njohur në tregun muzikor shqiptar…

Ka pak ditë që keni lançuar këngën tuaj më të re, "Me zemër", dhe duket që është pritur shumë mirë, pse mendoni që është pëlqyer?
Mendoj se dëgjuesi në këto momente kishte nevojë për një këngë me ritëm të freskët por edhe me përmbatje. Ndoshta prurjet e shumta në treg gati të njëjta , pa përmbajtje, thjesht me kombinime fjalësh, e bëjnë këtë këngë të dallueshme si nga melodia, ashtu edhe nga teksti.

Duket sikur çdo projekt i juaji qoftë si këngëtar, qoftë si krijues godet në shenjë tek njerëzit?
Në të dy rastet, e bëj me zemër. Nuk filozofoj, sepse edhe po të dua nuk di ta bëj. Më buron dhe unë mendoj që kur muzika buron, ashtu edhe përcillet tek dëgjuesi. Dallohet një melodi e sajuar nga një melodi që buron. Një tjetër element që e bën muziken time të jetë edhe më afër publikut, është se nuk më buron muzika për ta dëgjuar profesionistë, elitarë, kritikë, kompozitor e tjerë e tjerë… uroj që kur të plakem dhe të jem lajthitur mos të mendoj të kundërten.

Në fakt për këngën "Me zemër" edhe ju vet keni shkruajtur në faqen tuaj zyrtare në Facebook, sesa më shumë e dëgjoni aq më shumë e ndjeni si këngë, ka diçka personale aty brenda?
Është një akumulim ndjesish…

Duhet thënë se edhe klipi është punuar me mjaft kujdes, ku është xhiruar ai?
Është xhiruar në njerën nga ateliet ku kemi xhiruar edhe disa klipe me Pro…Video.

Koncertet për këtë verë kanë qenë të shumta, po për të pushimet keni menduar?
Pushoj në shtëpi, kondicioner, televizor dhe ushqim të bollshëm…
Flor, shumë nga rivalët tuaj pyesin, "se kurrë do të marr pushimet Florian Mumajesi"?
Ishalla s'na bëjnë magji për të pushuar njëherë e mirë (qesh), sidoqoftë i kam marr masat edhe për këtë (qesh)

Nëse do të bënim një kthim mbrapa në vite, si do ta kujtoni rrugën tuaj drejt muzikës?
Do ta kujtoja me shumë kënaqësi. Deri në një pikë mund të them se ishte mëse e zakonshme. Megjithatë do të më duhej një libër për ta treguar. Që në moshë të vogël e adhuroja muzikën, zgjohesha herët në mëngjes dhe ndizja radion të cilën e kisha mbi divanin që flija. Shumë herë fshehurazi kur nuk kisha njeri në shtëpi shkoja tek pasqyra e cila mbahej nga një komodinë, merrja kaçavida dhe me mendjen time më dukej se po i bija xhezit (qesh) edhe shikoja veten në ekran dhe bëja muzikë. Aq shumë e kam bërë këtë sa nga goditjet e kaçvidave, komodina u bë gropa- gropa të vogla. Normalisht lodrat e mia të preferuara ishin instrumentat dhe jo pistoletat siç janë akoma për 70 % të fëmijve. Kujtoj një bateri të vogël, ''xhez'' dhe një klarinet e cila u prish pasi kur ra tërmet ra dhe ajo nga bufeja. Më pas kur u rrita pak formuam edhe një grup në lagje dhe mbajtëm 2 koncerte, kuptohet tek hyrja pallatit. Unë isha perkusionist (qesh), tek tuk leshoja edhe ndonjë zë. Më pas emigruam me familjen dhe kur u ktheva në Shqipëri formova grupin "The dreams". Këtu nis gjithçka.

Sa e vështirë ka qenë ajo?
Shumë e vështirë. Edhe kur isha me grupin "The Dreams", punoja gjithmonë në një punë të dytë.

Nga ajo kohë e deri tani, sa ka ndryshuar pasioni juaj për muzikën?
Me kohën gjithçka ndryshon.

Kush ju ka mbështetur?
Publiku, familja dhe vëllai im, miq , shokë, ''kolegë'' dhe bashkëpuntorë të ndryshëm të cilëve u jam shumë miënjohës dhe jam munduar sado pak në formën time, që t'ua kthej duke i respektuar dhe duke bërë gjithçka mundem, sa herë ka qenë nevoja.

Keni frikë se mund ta humbisni ndonjëherë këtë sukses që keni arritur?
Suksesi nuk është i përjetëshëm, sot e ke dhe nesër jo.

Përveçse këngëtar jeni edhe krijues. Kujt ia shkruan këngët më me qejf?
Kur krijojë muzikë, shumë rrallë e bej sepse duhet ta bëj, kështu që çfarë bëj e bëj me qejf deri tani, dhe pa iu referuar këngëtarit.

Sa i mbështesni talentet e reja në art?
SHUMË, gjithmonë jam në kërkim.

Keni miq në art?
Kam shumë pak por i kam të vërtet. Koha i ka selektuar të gjithë ata, që iu besoja fasadën.

Duhet thenë se një nga bashkëpunëtorët tuaj të ngushtë ka qenë Andy Gramm, Julka me të cilin ju punoni edhe sot,janë miqtë tuaj më të mirë?
Me Andin e kam nisur ëndrrën e një produksioni dhe me Andin po vazhdojmë ta ndërtojmë … Julka ka qenë gjithmonë në krahun tone sa herë ka qenë nevoja, vazhdon edhe sot me shumë përkushtim…

Sa orë në ditë merr muzika në ditën tuaj (dimë që punoni deri në orët e vona të natës në studio)?
I kam dedikuar gjithçka, nuk ka njësi matëse…

Sipas mendimit tuaj çfarë duhet të ketë një këngë që ti rezistojë kohës?
Nuk kam analizuar asnjëherë kaq thellë.

Po marrëdhënien me familjarët tuaj si e keni, me kë jeni më shumë i lidhur?
Si të gjithë e dua dhe e kam të shenjtë familjen. Mamin e kam si dritën e syve, jetën e jap për mamin.

Jeni shumë i rezervuar përsa i përket jetës suaj private, pse e keni bërë këtë zgjedhje?
Prandaj i thonë jetë private, sepse duhet të jetë e tillë.

Ju kanë bezdisur thashethemet dhe sa i merrni parasysh?
Sigurisht që më bezdisin, është mëse normale…

Ku e shikon veten pas 10 vjetësh, Flori Mumajesi?
Nuk jam aq i aftë me parashikimet, sidomos me 10 vjet avans. Nuk e di. Të kemi shëndet mbi të gjitha… Por ja po jap një shembull që më vjen në mendje tani. Unë pas 10 vjetësh, ndoshta po nuk bëra muzikë do mbaj fjalime. Do ta kem shumë të vështirë ta pranoj, do plas nga inati që koha më skadoi (qesh). Bëj shaka, ky nuk do të bëhem kurrë, vetem po lajthita (qesh).

Nuk do heqësh dorë asnjëherë nga arti?
Nga arti jo. Në mos do bëj muzikë, do ta dëgjoj sa të kem degjim, po edhe po nuk pata dëgjim prapë nuk do heq dorë nga arti, art është edhe të gatuash…
(SUADA DACI /Thash&Them)

Flori: Kam Përdorur Kaçavidat Si Shkopa Xhezi