>
BIOSHQIP

Flori: “Nuk Janë Të Rëndësishme Klikimet Në Youtube“

19-07-2014
Prandaj nuk janë kaq të rëndësishme klikimet në YouTube… E fshinë kanalin tim në YouTube me forcë, u munduan ta bllokonin këngën dhe në fakt nuk ia dolën! Normal nuk ka asgjë më të fortë, sesa forca e muzikës...”, ky është statusi i fundit i Florian Mumajesit, kantautorit që nuk është shpesh aktiv në rrjetet sociale. Problemet e shumta në lidhje me kanalin e tij zyrtar në YouTube duket sikur nuk kanë të sosur, edhe pse ka dalë disa herë fitues nëpër gjyqe. E megjithatë, ajo që mbetet për t’u vlerësuar është fakti që në një botë të vështirë muzikore si kjo në Shqipëri, ai ka ditur të depërtojë ngado në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bullgari me këngët e tij. Për të duket se, kjo luftë e ashpër klikimesh nuk është e nevojshme për aq kohë sa ka mbështetës dhe fansa që tregojnë çdo ditë e më shumë se e duan muzikën e tij, e më së fundi këngën “Ta boja me drita”. Një video ku këndohet kjo këngë nga fëmijë e të rritur është shoqëruesja e statusit, që vetë këngëtari ka publikuar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook. Që nga vera e vitit të shkuar, Flori Mumajesi dhe “Threedots” krijuan një standard të ri në organizimin e koncerteve ‘live’.



Një standard, që deri më tani shumë pak artistë shqiptarë e kanë prekur. Për herë të parë, në skenat e klubeve të mëdha, nuk është më vetëm një këngëtar që këndon, ashtu siç ishim mësuar prej vitesh të prisnim në skenën e një klubi nate, por një grup njerëzish që kujdesen për ta shndërruar mbrëmjen në një show gjigand. E tillë, ishte edhe panorama e një të enjteje në një nga klubet e kryeqytetit shqiptar, ku nuk mungonin edhe të rinj nga Kosova, të cilët gjithnjë e më shumë po i pëlqejnë ritmet dhe prurjet verore që Mumajesi nis të përcjellë gjatë stinës së nxehtë. Flori Mumajesi ka performuar të enjten në mbrëmje, jetë nate që nuk është e zakonshme në kryeqytetin shqiptar të enjteve, për orë të tëra hite të tij në vite. “Ta boja me drita”, kështu ishte quajtur mbrëmja e të enjtes, ku morën pjesë mbi 1500 vetë, të cilët të gjithë njëzëri kënduan me Florin këngët e tij njëra pas tjetrës. Mbrëmja nuk dihet se kur e pati fundin, ashtu sikurse edhe fansat e këtij këngëtari-kantautor ishin thuajse të panumërueshëm në një ambient, që dukej se mezi po i mbante të gjithë bashkë. Në, fakt ishte një natë-ditë, pasi koncerti vijoi deri në orët e para të mëngjesit tjetër. Suksesi i tij i fundit “Ta boja me drita” është një këngë që vjen posaçërisht për sezonin e verës. Është një këngë, që padiskutim mund ta konsideroni edhe me nota humori. Edhe teksti, edhe fabula, edhe videoklipi janë të tilla.
(Shekulli)

Flori: “Nuk Janë Të Rëndësishme Klikimet Në Youtube“