>
LETERSISHQIP

Ese (Toka)

Erdha nga errësira në dritë. Nga asgjëja në gjithçka. Dhe pashë … Jo nuk shihja ende. Vetëm ndieja. Ndieva ngrohtesinë e nënës, por larg . Ishte shumë ftohtë. Në aq pak kohë ndieva shumë . A të ishte vallë jeta? Po, po . Kisha ardhur në jetë. Aty ku është “Oazi i jetës”. Në Tokë. Ajo pika e vogël në universin e pafund. Toka ime, Toka jonë. Është planeti i vetëm që ka jetë ose të paktën këtu kemi gjetur sigurinë për të jetuar. Ka formë të rrumbullakët dhe sillet rreth një ylli që quhet Diell. Nuk është lodhur. Qëkur ka lindur ashtu ka lëvizur. Si një instinkt i lindur. Mbase kjo është në natyrën e saj.Është e mbuluar me një shtresë që quhet atmosferë. Nga larg duket si vello e bardhë që nuk largohet kurrë. Nga Toka nuk shihet, nuk dallohet, por di që nga ajo shtresë mund të jem gjallë. Toka në pjesën më të madhe të saj është mbuluar nga uji. Pjesa tjetër është tokë. Pjesa ku ne ecim, luajmë, pengohemi, ngrihemi, vazhdojmë përpara, jetojmë dhe më pas largohemi. Nuk e di saktësisht por nuk do doja të largohesha. Jeta është shumë e bukur. Për dikë e shkurtër dhe e bukur. Për disa e gjatë dhe e vështirë. Të gjithë duan të qëndrojnë ketu edhe pse kjo është e pamundur sepse Ai kështu e mendoi. Ka gjallesa nga më të ndryshmet. Nga më të voglat tek më të mëdhatë, por të gjitha me një qëllim të caktuar. Të gjitha jetojnë e më pas largohen, por gjithmonë duke lënë diçka pas. Një jetë tjetër e shkurtër ose e gjatë. Është e lindur, është ligji hyjnor, jeta nuk shuhet kurrë. Në botën e kafshëve ligjet janë të pathyeshme, më i forti mbijeton. Ashtu si dhe tek ne njerëzit, por ne nuk largohemi. Ne vuajmë. Ne njerëzit kapemi me thonj pas jetës. Kafshët gjallojne, ndërsa ne qeshim, gëzohemi, qajmë dhe trishtohemi. Trishtohemi aq shumë sa jeta ndonjëherë na duket një budallallëk pa kuptim. Eh, jeta! Po sikur mos ta kishim? Nuk e di. Nuk më intereson aspak. Çfarëdo që të më ndodhë, jam i lumtur që e kam dhe e pranoj si dhuratën më të bukur dhe, kushdo të ma ketë dhuruar, duhet të ketë qënë hyjnor, madhështor… Nuk ka shumë rëndësi. Ndihem i mbrojtur e i lirë në shtëpinë time. Në Tokë. Në “oazin e jetës”. Aty ku pyetjet nuk mbarojnë kurrë.