>
LETERSISHQIP

Sidoqoftë

Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë ndër duar.
Sidoqoftë, njerëzit do ta shpikin disi një mëngjes,
ashtu siç kanë shpikur detet, yjet, shiun
dhe shumë gjëra që nuk ekzistojnë.
Nata është hija jote
që ti nuk arrite dot ta mbledhësh ende.
Sidoqoftë, unë mund të shkruaj lirika moderne,
po tani është tepër vonë të shpik gjëra që nuk ekzistojnë,
si përshembull lumturia.
Apo fëmijë të bukur, shira lulesh e gjëra të tilla,
për të cilat Zanafilla fajëson perëndinë.