>
BIOSHQIP

Genta Ismajli: Për Intriga Duhen Akuzuar Edhe Këngëtarët

04-02-2012
Atraksion për të gjithë! Është kjo Genta Ismajli, e cila për momentin po bën një pushim të shkurtër pranë familjes së saj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këngëtarja ka gjetur kohë që t'u përgjigjet pyetjeve tona në këtë intervistë të sinqertë, ku flet për albumin e ri, këngën që po përgatit dhe projekte të reja gjatë këtij viti. Pas shumë dëshpërimeve, sukseseve dhe dështimeve, ajo thotë se është bërë një Gentë më e fortë! Gjatë festave promovove disa këngë miks, nuk doje të bëje këngë të reja apo dëshiroje të promovoje albumin? Albumin e fundit ‘'Guximi'' e nxora gjatë sezonit të verës dhe sigurisht këngët janë ende fresh për t'i kënduar edhe në programe të ndryshme festive. Nuk e pashë të arsyeshme që pas shumë këngëve të reja të nxjerr edhe ndonjë këngë tjetër të re. Sa e kënaqur je me promovimin e albumit "Guximi", si ka ecur shitja, ke ndonjë informacion? Albumi të merr shumë kohë dhe energji të madhe, saqë nuk mundem ta krahasoj me asnjë projekt tjetër, mundohem të punoj që të kem këngë me kualitet të mirë, tekste të mira etj., që çdo njeri ta gjejë veten aty. Që, edhe nëpërmjet një radioje ku luhet kënga ime, të ndiejnë fansat po të njëjtin emocion, siç e ndiej unë kur e këndoj dhe lirisht mundem të them tani që jam e kënaqur me albumin e fundit ‘'Guximi''. Po këtë vit si e ke nisur, çfarë ke në plan të realizosh? Pas gjithë sfidave të ndryshme që kalova në vitin që lamë pas, si albumi, koncertet, pjesëmarrje televizive të ndryshme, udhëtime, takime me fansa të ndryshëm, surpriza, thashetheme, lodhje, gëzime hidhërime, lëndime e dëshprime të vogla, përgatitje, suksese etj. etj. Tani mund të them se jam një person edhe më i fortë në çdo aspekt, me një eksperiencë pune shumë të madhe, për arsye se emocionet e skenës më shtohen për çdo ditë e më shumë. Ky fenomen, nëse mund ta quaj kështu, më lejon ta kuptoj, ta njoh veten si njeri e artiste edhe më shumë. Pra, 1 minutë para se të hynim në vitin 2012, të gjitha këto u sollën në kokën time dhe në fund me sy të mbyllur dhe me një buzëqeshje të madhe në fytyrën time e me shumë kreanari fillova të këndoj për shpirtin tim e për shpirtin e publikut tim që kisha përpara. Viti 2012 filloi fresh, plot motivim, shumë energji, pozitivitet, Genta e re plot kreativitet (qesh). Je një nga këngëtaret më të kërkuara qoftë në koncerte apo në internet, je një nga personalitetet shqiptare me më shumë fansa në facebook, si është të gjendesh gjithmonë në majat e suksesit? I falem Zotit të madh që më bekoi me talent, në gjuhën e popullit thonë: Zoti ta ka dhënë, tash hyzmetin bëja veët. Punoj shumë për fatin tim, këndoj këngën me gjithë shpirt. E shoh që shtohet numri i madh i njerëzve që më duan dhe i dua pa kufij, me aq sa kam mundësi dua të ndihmoj ata që nuk kanë mundësi, sidomos popullin shqiptar që ka nevojë të dëgjojë gjëra të mira. Por edhe duhet të dinë se si të ndihen edhe më mirë, mendoj dhe besoj që unë jam këtu ku jam për një arsye sigurisht, unë ndiej që kam obligim ndaj vetes, fansave të mi dhe popullit tim, do mundohem që të lë një pasqyrë edhe më të mirë në të ardhmen. Koncertet janë rralluar disi, ka punë për këngëtarët? Edhe në diasporë nuk paguhen shumë, sipas teje çfarë pëlqejnë shqiptarët atje dhe cilët këngëtarë paguhen më shumë? Publiku shqiptar është publiku më i sinqertë, më i bukur dhe më i vërshtirë në botë që kam parë ndonjëherë, të duan shumë ose nuk të duan, kur fillojnë të ngopen të paralajmerojnë, sepse nuk kanë dëshirë që të humbin diçka të mirë me dëshirën e tyre por… Pra ka shumë pak artistë që e kapin këtë fenomen, besoj që artistët e mëdhenj nuk fusin hundën aty ku nuk i takon, ia dalin të kenë gjithnjë trofeun në dorë, dhe trofeu më i madh për një artist është publiku; kur ke publikun, i ke të gjitha. U përfol shumë një duet me Dafina Zeqirin, si erdhi deri te bashkëpunimi? E vërtetë që ishin iniciatorë drejtuesit e RTV 21 për realizimin e kësaj kënge? Në fakt, shumë mirë që ma bëre këtë pyetje, sepse nuk ishte përfolur vetëm dueti, por edhe shumë gjëra të tjera që nuk ishin aspak të vërteta, por ja, e vërteta doli në Sheshin 21. Në të ardhmen mendon që mund të realizoni edhe ndonjë duet së bashku? Të jemi shëndoshë e mirë, gjithçka tjetër do të kuptohet me kohë. Genta, në muzikë kemi thënë shpesh që ka shumë xhelozi dhe intriga, si po ecën miqësia mes jush dhe këngëtareve të tjera? Po, pse thua këngëtareve të tjera e jo të tjerë!? Pse duhet të fajësohet gjithnjë femra, nuk janë bre gjithnjë vetëm femrat fajtore (qesh). Një kohë u përfol shumë miqësia juaj me Adelina Ismailin, ka kohë që nuk ju kemi parë së bashku, ndërsa më herët nëpër intervista lavdëronit njëra-tjetrën? Besoj që as më parë nuk keni pasur rast të na shihni bashkë në qytet ose në ndonjë kafeteri. Flas jashtë punës ose xhirimeve të ndryshme dhe, sa u përket lavdatave, unë personalisht edhe sot kam po të njëjtin mendim për Adelinën si këngëtare dhe e përshëndes shumë. Genta, u bënë vite që nuk të kemi parë me ndonjë mashkull për krah, mendon që ka ardhur koha të keni ndonjë të dashur apo lidhje serioze? Kur e don s'të don, kur s'e don të don, dua të kem atë që e dua dhe më don (qesh). Shumë këngëtare këto dy vitet e fundit janë fejuar e martuar, madje shumë prej tyre janë bërë nëna. Është në planet e Gentës fejesa, martesa dhe krijimi i familjes? Tani për tani është vetëm një ëndërr imja, i dua fëmijët shumë. Çfarë presim nga ju gjatë këtij viti, këngë, klipe koncerte, surpriza për fansat? Sigurisht që të gjitha këto që i ke cekur, i kam në plan për t'i realizuar dhe me shumë kënaqësi. Së fundi më duhet të cek një mesazh për ata, të cilët i kanë mundësitë të shkollohen, të punojnë dhe kanë përkrahje të ndryshme nga prindërit, familja, miqtë etj., p.sh të shkollohen në shkollat më të mira të vendit, të mos e keqpërdorin, por ta përdorin për të mirën e të ardhmen, të vlerësojnë mirësinë e dashamirëve, sepse fatkeqësisht jo të gjithë e kanë një fat të tillë, kurse për gjithë ata që nuk i kanë asnjërën prej këtyre që ceka dhe duan t'i kenë, vërtet kam për t'u thënë se, në çfarëdo situate të vështirë që ndodhen momentalisht në jetë, nuk do të thotë që ëndrrat nuk realizohen ose nuk mund të jesh aty ku t'i dëshiron të jesh. Rruga e vështirë është e ardhmja më e mirë, kurrë mos thuaj kurrë, duaje dhe respektoje veten dhe të tjerët. Beso, kërko, lexo, puno, mos u dorëzo. LOVE GENTA.
(BLERAND REXHEPI)

Genta Ismajli: Për Intriga Duhen Akuzuar Edhe Këngëtarët