>
BIOSHQIP

Gentjan Dema: Ju Tregoj Sakrificën Për Famë Në Shqipëri

18-08-2012
Prej 10 vitesh tashmë bën muzikë në skenat shqiptare,por në një rrëfim për THASH&THEM këngëtari Gentjan Dema tregon vështirësitë të cilat përjetojnë artistët për të depërtuar në skenën muzikore, projektet e tij gjatë gjithë kësaj periudhe, planet për të ardhmen dhe jetën e tij familjare.

Me çfarë po merresh kohëve të fundit?

Po merrem me përgatitjen e disa këngëve të reja për evenimentet e radhës dhe shumë shpejt do të realizoj një klip në bashkëpunim me një këngëtar të rrymës popullore dhe një reperi të ri.

Sa e vështirë është kohët e fundit depërtimi në skenën muzikore, cilat janë pengesat që ballafaqohet këngëtari dhe sa vite u bënë që jeni pjesë e skenës?

Mungesa e së drejtës së autorit dhe të një menaxheri të aftë, e bën punën e një artisti shumë të vështirë. Ne si artistë shqiptarë jemi të pafat që kemi lindur në këtë vend që nuk di të vlerësojë. Unë karrierën time artistike e kam nisur që në moshën 17 vjeçare dhe tashmë u bënë plot 10 vite.

Përmend disa nga sukseset dhe perpipecitë të cilat i ke kaluar gjatë kësaj kohe, me çfarë mendon të kurorëzosh këtë 10 vjecarë?

Suksesi im ka qenë çdo pjesëmarrje në eventet muzikore shqiptare sepse unë vetëm dhe pa asnjë ndihmë kam arritur çdo gjë deri më sot! Suksesi im që më bëri të njohur në fushën e muzikës ishte klipi im zyrtar i këngës ''Një ditë do të qash'' i vitit 2009 nga Max Production. Këtë vit mendoj se do kem rezultate shumë të mira dhe projekte cilësore.

Mendon që këngëtarët për të pasur suksese duhet edhe të bashkëpunojnë me të tjerë, si është raporti yt me kolegët, dimë që ke disa miq të mirë, nuk ke tentuar që përmes tyre të fitosh famën dhe jashtë Shqipërisë?

Pyetje shumë me vend. Unë kam miq shumë të mirë kolegë dhe se mohoj që këtë vit kam menduar të sjell disa bashkëpunime me këngëtarë cilësorë që dinë vërtetë të bëjnë publikun për vete.

Gentjan dimë që je njeri familjarë, sa e vështirë është të menaxhohet edhe familja edhe karriera? Na trego diçka më shumë rreth familjes tënde.

Për mua mbi gjithçka e para qëndron familja dhe më pas karriera dhe puna. Siç mund t'a keni marrë vesh nuk kam shumë muaj që Zoti më ka bekuar me një vajze emrin e të cilës ja kemi vendosur Vanesa. Fëmija qenka gjëja më e shtrenjtë për një prind. Na ka sjellë gëzimin, njomësinë dhe freskinë që vetëm një foshnjë di të sjellë më së miri.

Ju jeni i angazhuar, këndoni dhe nëpër dasma, sa kohë keni t'ia kushtoni familjes?

Jam i angazhuar më shumë në organizimet e mbrëmjeve festive të Karaokes, por me dasmat akoma nuk u jam kushtuar plotësisht. Një ofertë më ka ardhur për bashkëpunim me një dixhej shumë të mirë që pse jo bashkëpunojë duke sjellur një risi në dasmat shqiptare. Por kjo mbetet një projekt i hapur pa afat kohorë. Familjes i kushtoj një kohë të mjaftueshme, unë e gjej gjithmonë kohën për ata sepse janë pjesë shumë e rëndësishme e jetës time dhe të qenuri burrë dhe baba shembullorë.

Sa kohë ju mer realizimi i një kënge dhe çfarë komponentë duhet të ketë një projekt që të jetë i suksesshëm?

Që një produkt të dalë shumë i mirë do shumë kohë dhe përpjekje. Jam më i prirur nga këngët e ëmbla dhe me muzikalitet dhe në fakt e kam vënë re që edhe dëgjuesit e muzikës në përgjithësi janë më të dhënë tek kjo anë. Çdo këngë nga prodhuesit punohet me shumë dashuri, por nuk është e thënë që gjithmonë të dalë Hit. Sepse edhe këngët mund t'i krahasojmë me fëmijët, që të gjithë i bën me dashuri por njëri mund të dali shembullorë dhe tjetri kriminel.

A ekziston xhelozia tek ju qoftë në aspektin profesional po dhe në atë familjarë? Çfarë mendon se mund të mbaj stabël një lidhje dhe një karrierë të suksesshme?

Si prodhim njerëzorë që jemi edhe ne si të gjithë kemi dëshirë të jemi të parët në çdo aspekt. Nuk para jam në fakt shumë xheloz. Gjithmorë dëshiroj gjërat që vërtetë mund t'i arrijë dhe kjo nuk më tundon shumë. Por kjo na jep ego për të bërë më të mirën. Përsa i përket lidhjes në çift: nuk ka dashuri pa xhelozi. Jam xheloz por pa prishur punë. (qesh)

Sa përfshirë keni qenë në skandale për të pasur një popullaritet akoma më të madh në vend?

Në fakt shoëbizi sot të kërkon skupe televizive që të jesh në qendër të medias. Mendoj që skandalet i bëjnë ata që nuk e arrijnë dot famën me aftësitë e tyre artistike ose nuk mendojnë për më gjatë. Mundohem t'i shërbej gjithmonë ruajtjes së figurës publike si shumë serioz dhe korrekt. Sepse tashmë unë jam prind dhe më duhet t'i lë një shembull të mirë fëmijës tim nesër kur të rritet, sepse çdo fëmijë krijon një imazh se si do të jetë në të ardhmen dhe gjithmonë frymëzimi i tyre nis tek prindërit.
(XHULIA KARAVELLA /Thash&Them)

Gentjan Dema: Ju Tregoj Sakrificën Për Famë Në Shqipëri