>
BIOSHQIP

Gentjan Dema: “Ëndrrat Mund Të Bëhen Realitet Me Shumë Punë”

10-03-2014
Gentjan Dema u zbulua rastësisht në një event rinor artistik, ku u cilësua si zëri më i mirë mashkull nga mjeshtrja e dirigjimit Suzana Turku. Nga ai moment Gentjani iu dedikua muzikës dhe më vonë u bë pjesë e Këngës Magjike 2006. Vijojnë disa evente kryesore në rang kombetar si Top Fest, Mikrofoni i Artë, Musical Fest etj. TeksteShqip ka realizuar një intervistë ekskluzive me Gentjanin për të mësuar më shumë rreth karrierës së tij që nuk ka të ndalur. TeksteShqip: Gentjan, ju vazhdimisht punoni rreth projekteve të reja. Si ndiheni i rrethuar nga fansat dhe njerëzit që ju duan dhe ju përkrahin vazhdimisht? Gentjani: Mundohem të përzgjedh në krijimtarinë time, pasi mendoj që kemi një përgjegjësi të madhe në shenjë respekti për admiruesit e mi, të cilët më kanë qëndruar besnik, edhepse unë ju kam munguar në produktet e reja. TeksteShqip: "Katile" është videoklipi i fundit që ju keni lançuar në tregun muzikor? Sa jeni ndarë i kënaqur me suksesin e këtij projekti? Gentjani : Kënga më e fundit që e kam lançuar në Korrik, ka qenë një bashkëpunim me një mikun tim, Tani Berisha, për të cilin me plot gojë mund të them se është një talent në krijimin dhe interpretimin e këngës popullore veriore. Kënga është realizuar nga vetë Tani, ku unë kam qenë thjesht një I ftuar. Mund të them që jam ndjerë për herë të parë tamam si një I ftuar që “s’bën” asnjë punë. Jam I mësuar të mirrem vetëm me produktet dhe gjithçka timen. Pritshmëria jonë ka qenë shumë e mirë, kundrejt asaj që ne kemi dhënë për këtë këngë. TeksteShqip: Çfarë ju dhuroi viti që lam pas? Gentjani: Mund te them që viti 2013 ka qenë viti më I suksesshëm I imi, jo vetëm në fushën e muzikës, por edhe në çdo sipërmarrje timen. Në këtë vit, unë arrita të realizoj ëndrrën time shumë vjeçare, për të realizuar një koncert humanitar, ku dhe ia arrita mrekullisht bukur. Koncerti u realizua më 7 maj, në qytetin Studenti këtu në Tiranë, ku pjesëmarrës kisha mbi 30 këngëtarët më “In” të skenës shqiptare dhe asaj kosovare, e gjithë kjo në kuadër të ditës botërore të Talasemisë. Po këtë vit, mora sipërmarrjen time të parë në krijimin e një Agjensie Turistike, e cila quhet “Go Travel Albania” dhe që nga korriku I këtij viti, e deri më tani, mund të them me plot gojën se mund të krahasohem me agjensitë më të mira dhe më serioze. Nga shtatori u bëra pjesë edhe e Top Medias, përkatësisht si menaxher marketingu I “My Music Radios” dhe “Musical TV” në Digitalb, ku nga aty unë mora sadisfaksion shumë të madh të punoja përkrah të madhit “z. Dorian Gjoni”, I cili më besoi mua të jem edhe kryekoordinatori I eventit muzikor “Musical Fest”, edicioni I parë, ku pjesë e saj u bënë 100 artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Diaspora. TeksteShqip: Po në 2014-ën ç’e pret Gentjanin? Gentjani: Ky vit duket që ka filluar shumë I suksesshëm edhe për mua, por mund të them që fillimi I mbarë është gjysma e punës. Dua të jap maksimumin në biznesin, por s’dua që ta le pas dore edhe eventin humanitar, që këtë vit vjen në edicionin e dytë të saj më datë 8 maj. Këtë vit, ju premtoj që do të kem edhe projekte te reja në lidhje me muzikën, si interpretues, por mund të them edhe si menaxher artistik I një super talenti që po piqet dita ditës. TeksteShqip: Na e përshkruani pak një ditë të zakonshme tuajën! Gentjani: Ditët e mia të zakonshme janë me shumë ritëm. Zgjimi në mëngjes herët, pasi zilja ime e vetme është vajza ime dy vjeçare, e cila quhet Vanesa. Më pas, përgatitja, një mëngjes I shpejtë dhe nga ora 09:00 gjendem në zyrë, deri në orën 20:00, ku mund të them që jam plotësisht i rraskapitur nga puna dhe takimet e shumta. Vjen darka dhe mblidhem me familjen time, ku kaloj një kohë të çmuar. Ditëve të diela dhe si fundjavë që është, koha ime e tëra I përket Zotit dhe familjes sime të shtrenjtë. Zakonisht, paraditeve shkoj në Kishën Ungjillore dhe pas dreke mund të shkoj të drekoj jashtë me familjen, duke argëtuar edhe vajzën e vogël nëpër kënde lojrash argëtuese. TeksteShqip: Gentjan, ne të falenderojmë që gjete kohë për këtë intervistë. Për fund dëshiron të shtosh diçka... Gentjani: Ju falenderoj vërtetë përzemërsisht për këtë intervistë, duke ju uroj vërtetë shumë suksese në punën tuaj dhe gjithashtu lexuesve tuaj një vit të mbarë. “Ëndrrat mund të bëhen realitet nëse ti vërtetë e dëshiron dhe punon për këtë qëllim”. Faleminderit!
(Arsim Kolari/Teksteshqip.Com)

Gentjan Dema: “Ëndrrat Mund Të Bëhen Realitet Me Shumë Punë”