>
LETERSISHQIP

Te Kisha Shnjonit (Lahuta E Malcís)

Prendoi dielli, n’ qiell duel hâna,
N” Veleçik po pingron Zâna:
Ehu! ju malet e Shqypnís,
N’ t’ cillat strukë shqypja e lirís,
N’ t’ bardhat kohe qi kan prendue, 5
S’ lête anmik, jo, me i u afrue!
E di shpat e di edhe prrue,
E di landë e di edhe gúr,
Shqyptarís kryq e terthuer,
Se sa gjak atbotë i anmikut 10
Vojti rrkajë prej t’ bardhë çelikut,
Qi flakote n’ dorë t’ Shqyptarit
Porsi rrfeja majes s’ Sharit.
A kisht’ mujtë kurr n’ at kohë t’ lume,
( Me lot gjakut sod t’ lotueme!) 15
Veç nji troe t’ tokës Shqyptare
M’ e rmue dora grabitçare?
Ah! jo kurr: t’ ish’ çue mbarë bota…
Pse ndo ‘i Lekë, a ‘i Gjergj Kastriota
Do t’ kisht’ dalë, at dorë rrembyese 20
M’ e cungue me armë ngadhnyese,
T ‘ cillat n’ shekull do t’ permenden
Hânë e hyj sa qiellve t’ enden.
Por kan ndrrue sot moti e stina
Per dhé t’ ngrît, kû rreh Martina! 25
Gjinde e mbajtun me lot t’ shumit
Qi n’ djersë njomë bûcat e umit,
Ja qi n’ kullmë rreshket kumuese,
Ja nper dét bjen valës shkumuese,
Per me mbajtë nji grue te shpija 30
S’ cilles bukë i lypin fmija,
Edhe i lên ndoshta me kjá,
Perse e mjera bukë nuk ká:
Gjinde, s’ cilles Zot i âsht ari,
T’ zezen tokë qi i ngratë Shqyptari 35
Shtrêjt me gjak e pat fitue,
Pa ndo ‘i dhimë, kjoshin mallkue!
Sod m’e dá duen copa copa:
E perse? Pse don Europa…
Uh! Europe, ti kurva e motit, 40
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá token e Shqypnís
Per me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje 45
Njata burra qi m’ kto brigje
Per tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije?
Ti qi i a kalle flaken diellit
E i shestove rrathët e qiellit, 50
Ti, prej eshtnash t’ t’ ngratë Shqyptarve,
Qi bânë deken per dhé t’ t’ parve,
Bân sod t’ bîjn fatosa t’ rí,
T’ cillt nji troe t’ ksajë Shqypní
Mos t’ a lâjn Shkjaut n’ dorë me i rá 55
Krejt ne gjak nji herë pa e lá!
Lum, oj Zâna e Veleçikut,
Qi m’ i a lshon ti namët anmikut,
Qi m’ i uron djelmt e Malcís,
Qi m’ i a kján hallin Shqypnís; 60
Ksaj Shqypní, e cilla motit,
N’ zâ kah pushka e besa e zotit,
Pat kênë çmue prej fisesh t’ tâna
Kah bjen dielli e kah mêrr hâna!
Por, sado qi poshtë ká rá 65
Sod me sod, e rrin tue kjá
N’ pluhen t’ tokës, prej njerzve shá,
Prap, oj Zâne, shkndija e burrnís
Nuk â shkime n’ male t’ Shqypnís,
Qi, manà, edhè n’ kto kohë t’ reja 70
Ka ‘i herë ndezet flakë si rrfeja.
S’ kan mbetë shkret, jo, armët besnike,
Perse Arbnorja grue fisnike,
Bân se bân fatosa t’ rí,
T’ cillt trimnisht per ket Shqypní 75
E per besë e t’ bardhen Fé
E bâjn deken si me lé.
A poi shef ti njata burra
Qi kah Brigja neper curra.
Tue hecë naten porsi bisha, 80
Janë t’ u njitun drejt kah kisha?
Ata janë, po, Krenët e Hotit
Qi m’u lidhë duen me besë t’ Zotit
Per me i dalun zot Shqypnís,
Per me i lânun nderë Malcís. 85
Po, Çun Mula mbí shpinë t’ kalit,
U a çoi lajmin Krenve t’ malit;
U a çoi lajmin n’ derë t’ konakut,
Per me u mbeledhë n’kuvend t’ bajrakut;
E si rrokull kjenë rreshtue, 90
Kshtu zên Çuni me ligjrue;
Fol tash, Masho, ç’ po na thue?
Un qe, Krenët t ‘ i kam bashkue,
T’ cillve mundesh me u besue,
Pse armët kryq i kemi vû, 95
Si na e lanë të parët kanû.
At herë Mashi zên kadalë:
Pa ndigioni, o trima ‘i fjalë,
Qi po u thom me besë te Zotit,
Porsi nipave t’ Kastriotit: 100
Katerqind e s’ dij sa vjet
Jânë qi i bâjm Mbretit hysmet
Kush ushtrí, kush angrí,
Me armë n’ dorë, me zjarm në gjí,
Me ‘i kamë mbathë me tjetren zdathë, 105
Buken n’ strajcë e shpí senjurin,
Dushek token, jestek gurin,
T’ mbrame te hika e t’ pare te mbeta:
Trima n’ zâ se â zânun jeta:
Mos me drashtun krajl as Mbret! 110
Edhè Mbreti ket hysmet
Dér dikû na e ká pelqye,
S’ na ká lânë aj krejt m’ u thye:
Na ka lânë lirín jetike,
Na i ka lânun armët besnike, 115
Per me ruejtun Fé e zakona,
Per me mprojtë kto malet t’ ona
Per me mbajtë kanú’ n e t’ parve
Me ruejtë erzin e Shqyptarve:
Na ka çilë kishë e xhamí 120
Per dintarë e kryqelí:
Na ka falun pagë e t’ dheta,
Kanú m’ vedi sa t’ jetë jeta,
E na. veç n’ e paçim çartë
Ket kanú qi na lanë t’ Parët, 125
Se e kem’ shkue jeten n’ lirí
Si në bjeshkë. ashtû në vrrî,
Si me gjâ. ashtû me bulqí:
Tue punue e tue gjallue,
Tue lutë festat trashigue, 130
Mort e darsem me kanú,
Sikur t’ parët na pa’ n punue,
Por medèt e treqind halle!
Per kto male e per kto zalle,
Per kto male e zalle t’ ona, 135
Kû si heret, si n’e vona,
Pat kênë mbajtë kanuja e malit,
Pat kênë rritun pika e djalit,
Pika e djalit, Lekët e Hotit,
N’ zâ kahë pushka e besa e Zotit: 140
N’ zâ ka’ urtija e bujarija
Qi zanát i ká Shqypnija;
Perse â kndue n’ Shkoder gazeta
Qi njaj Shkjaut sod t’ u ngjatët jeta!
Do t’ i bâjn kto male t’ shkreta. 145
Po, Moskovi, i u thaftë hovi!
E ka dá n’ Kuvend t’ Berlinës
Me i u lshue Knjazit t” Cetinës
Hot e Grudë, Plavë e Gucí.
E tash Knjazi i Malit t’ Zí 150
Ká ngrehë top, ká dyndë ushtrí
N’ kto trí dit me rá n’ Malcí:
Thue gjâ e shkretë ka mbetë Malcija,
Thue pa zot se â Shqyptarija.…
Kshtû tha Mashi e Krenët e Hotit 155
Si t’u ráke ‘i rrfé prej Zotit,
N’ ato fjalë mbetem pa zâ:
Me i pasë pré… gjak s’ kishin bâ.
Kishin ndêjë me sý per dhé,
Pa thânë kush nji fjalë per bé. 160
Por prap Mashi zên t’ e vona:
Ç’ t’ thomi, burra? Fé e zakona,
Bjeshkë e vrrî e kullat t’ ona
A ‘imend Knjazit pa luftue,
Pa pushkë t’ shtîme kem’ m’ i a lshue?165
Pasha, Zotin, kjoftë levdue!
Gjeto Marku zû m’ u idhnue
Hot e Grudë s’ po t’i shklet Nika
Bash me e dijtë se jesim n’ çika:
Se na bân Knjazi faní, 170
Se na djeg me bjeshkë e vrrî.
S’ i lâm marre Shqyptarís
Kû t’ jetë puna e trimënís;
Perse mbarë Lekët e Malcís
Shk’ â m’ shtatë vjet e shtatdhete vjet, 175
Dijn me dekë, po, per dhé t’ vet.
Pa m’u njeshë per shtat xhubleta,
S’ i bâj Knjazit t’ u ngjatët jeta!
Por t’ flasë Çuni bajraktari,
Fjalve t’ tija u rrí mâ i pari. 180
Njaj Çun Mula, si u mendue,
Kshtû po zên me ligjirue:
S’ kemi, burra, mâ shka t’ presim,
Armët besnike, por t’ i njesim:
Hovin Knjazit do t’ i a presim, 185
Me e dijtë se të tanë do t’ jesim.
Ndoshta pak edhè na jena,
Ndoshta edhè fyshekë nuk kena:
Por anì pse t’ parët e motit,
T” parët e motit, flakë barotit, 190
Njata ushtarët e Gjergj Kastriotit.
Kurr s’ i njehshin n’ luftë ushtrít:
Njehen dhênt e njehen dhít,
Por jo trimat me armë lé,
Trimat lidhë me besë a fé: 195
Trimi i mirë edhe sa herë
Me ‘i fyshek dahet me nderë.
Pra, le t’ çohet m’ kamë djelmnija:
Oren çuet pse e ka Shqypnija:
Me tê vetë âsht Perendija. 200
S’ e ngulë Knjazi n’ Hot bajrakun,
S’ e rritë m’ né, jo, Karadakun,
Pasha armët qi m’i la baba!
Pa na vjerrë kortarë mbí krraba…
T’ rrahim bén si t’ na apë feja, 205
( Kush e thaftë atê e vraftë beja),
Se qindrojm, eh gjofti rrfeja!
Porsi t’ parët na pa’ n qindrue
T’ cillt per t’ gjallë s’ kan me u harrue.
Kshtû tha Çuni Bajraktari, 210
Edhè m’giûj u ngreh mâ i pari:
Bâni bé, me lot per faqe,
Per qitape e shtatë melaqe,
M’ Orë te bjeshkve e m’ krye te fmís,
E per Emen t’ Perendís, 215
Se pa dekë e pa hî n’ dhé
Me gjith djalë e me gjith ré,
Pa u robitë me lopë e qé
E pa u djegë me stan e shpí
S’ i bjen n’ dorë kurr Malit t’ Zí. 220
Njitë mbas tij atbotë u çuene
Krenët e Hotit, e u betuene,
Mbas kanûs s” Lekë Dukagjinit,
M’ qiri t’ festës e m’ Kishë të Shnjinit,
Mbí Shen Nikollë e m’ Shêjt Shna Ndue, 225
M’ Kryqe t’ Krishtit, kjoftë levdue!
Se, pa u shkimë me troje t’ veta,
S’ i bâjn Knjazit t’ u ngiatët jeta!
At herë Çuni rishtas zuni:
Por tash, burra, ndienie ‘i fjalë: 230
N’ Urë t” Rrzhanicës do qitë ndo ‘i djalë,
Me i zânë shtekun Karadakut,
Dér sa t’ epet zâ bajrakut.
Un po i zgiedhi ‘izet martina,
Me u a ndie krismen larg Cetina, 235
E n’ Rrzhanicë kam me i ngujue,
Pushken Knjazit m’ i a fillue,
Per n’ kje ‘imend se i ká rá n’ krye
Kufîjt t’ onë me i shkapercye.
N’ Traboinë Gjetja le t’ dalë 240
Ded Gjo’ Lulit me i çue fjalë,
Qi t’ a çojë aj m’ kamë t’ tanë fisin
Porsa pushkët n’ Rrzhanicë t’ i a nisin.
Ju tjerët krenë, edhè seicilli,
Deri neser pa rá dielli, 245
T’ i a napë zânin fisit t’ vet,
Qi shk’ â i Hot e shkon me Mbret,
Prej shtatë vjetsh e m’ shtatdhetë vjet,
T’ gatojë armët e t’ prehë tagâ’ n
N’ Veleçik t’ a qese gjân; 250
Pse me pasë n’ Rrzhanice me krisë,
Ka m’ u dashtë n’ Rrzhanicë me u nisë,
E aty u bâftë si e ká thânë Zoti:
Oren çuet por e ká Hoti.
E ti, Masho, pa shkrepë dielli 255
N’ at mollë Shkodere t’ nisesh filli:
Hodo Pashës m’ i u bân selám,
Thuej t’ a çojë Miletin n’ kamë,
Thuej t’ a çojë në kamë Miletin
Me qindrue sod per Dauletin, 260
Me qindrue sod per Shqypní
Tue luftue me Mal të Zí.
E atij mikut, i u ngjatët jeta!
Thuej T’ a qesë nji shkrolë n’ gazeta,
Se per t’ gjallë rodi i Shqyptarit 265
Per pa gjak kurr dhén e t’ parit
Nuk e lshon, jo, pasha Zotni!
S’ e koritë, jo. Gjergj Kastriotin.
Gjergj Kastriotin, trim rrfé.
T’ shkruej se trima ká nder né, 270
T’ cillet per Atme edhe per Fé
E bâjn deken si me lé,
Kur t’ janë lidhë me besë e Fé
Kur t’ janë lidhë me besë te Zotit
Si jânë lidhë sod Krenët e Hotit. 275
Tash po dahna; nji udhë e mbarë!
Se kan kndue gjelat e parë,
E na kohë s’ kem’ me u vonue
S’ âsht per burrë, jo, me u hutue,
Kû per tê të jetë gjikue 280
Ja me dekë, ja me fitue.
Foli Çuni e u dá kuvendi.
Po, Zot, kuej do t’ i jesë vendi?

DËRGOI: