>
BIOSHQIP

Gjon Karrica: “Në Muzikë Nuk Dua Të Ngjasoj Me Askënd”

11-04-2015
Muzika që bën ai është disi më e veçantë nga ajo e kolegëve. Gjon Karrica sapo hodhi në treg klipin më të ri “Sex toy”, I cili është një bashkëpunim me një braziliane. Për të dhe shumë elemente të tjera do flasim në intervistën e mëposhtme…

Teksteshqip: Gjon, jeni prej vitesh në skenën muzikore. Na thoni si jeni kyçur fillimisht në muzikë?

Gjon Karrica: Muzika ka qenë dhe vazhdon të mbetet pasioni dhe dashuria ime e madhe. Ishte dëshira për të kënduar, për të bërë gjëra të bukura, ajo që më udhëhoqi drejt skenës, krijimit, etj. Isha unë ai që e drejtova veten dhe ja ku jam sot, duke qenë po unë, por tani edhe me shumë njerëz për rreth.



Teksteshqip: Po me producentin Anton Nuse, si u njohët?

Gjon Karrica: Kisha dëgjuar për talentin e tij dhe gjithashtu kisha dëgjuar materiale të krijuara nga ai. Antoni gjithashtu jeton në Zvicer dhe nuk ishte shumë e vështirë të krijoja kontakt. Ai është selektiv, por i pëlqeu të punonte me mua. Jam falenderues për atë çka bën. Është i veçantë !

Teksteshqip: Nga ku i merr temat që i trajton në tekstet e këngëve?

Gjon Karrica: Siç e keni vënë re, temat e mija janë përtej të zakonshmes. Unë jam pak kontravers dhe nuk më pëlqen të trajtoj gjëra të rëndomta në muzikë.



Teksteshqip: Kënga "Lugati" pati një sukses të paparë. Kush ishin bashkëpunëtorët e këtij projekti?

Gjon Karrica: Anton Nue dhe ‘’Max Production’’. Tekstin e kam shkruar vetë. Nga kjo këngë me mbeti edhe nofka – ‘’Lugat’’. Kënga dhe videoklipi ishin një projekt më ndryshe dhe po vazhdon të kuptohet dhe dëgjohet, ndonëse ka kohë që është lansuar. ‘’Lugati’’ ka lënë shenjë.

Teksteshqip: Po megahiti që po bën namin në shou bizin shqiptar, "Sex toy", si lindi si bashkëpunim me një braziliane?

Gjon Karrica: ‘’Sex Toy’’ është inçizuar para dy vitesh në studion e Antonit. Mua më ka pëlqyer që në fillim. Me Jessyn kemi miqësi prej vitesh, ajo këndon, udhëton, është person i famshëm dhe me botë të madhe. Donim që t'i bashkonim focat dhe doli që ishte ide e mirë.



Teksteshqip: Kush përkujdeset për dukjen tuaj, sepse keni një stil tepër specifik?

Gjon Karrica: Gjithçka vetë. Bile, edhe të tjerët kanë interes që unë të kujdesem për ta, veshjen dhe dukjen e tyre.

Teksteshqip: A do presin fansat edhe ndonjë projekt tjetër të ri?

Gjon Karrica: Më shkruajnë çdo ditë. Jam duke ‘’gatuar’’.

Teksteshqip: Gjon, ne të falenderojmë që gjetët kohë për këtë intervistë. Cila është fjala juaj për teksteshqip.com dhe fansat që e lexojnë këtë intervistë?

Gjon Karrica: Faleminderit juve! Ju don ‘’Lugati’’.
(Arsim Kolari/Teksteshqip.com)

Gjon Karrica: “Në Muzikë Nuk Dua Të Ngjasoj Me Askënd”