>
LETERSISHQIP

Njëmijë Shuplaka

Njëmijë shuplaka
Mjaft, e më dëgjo pak!
mos e ngrit dorën, burracak,
të masësh forcën me brishtësi
s'është kafshë ajo, është njeri.
Është ajo që të duron
kur i bërtet, kur e dhunon,
është ajo që vuan pa zë
kur mllef i yti rëndon mbi të.
Është nënë ajo që fëmijë rrit
që për familje lufton me shpirt,
është krenari në origjinë t'vetën
asaj krenarie që ja nxive jetën.
Është ajo që të fali dashuri
ajo që la gjithçka për ty
e ti mirësinë shpërbleve me tmerr,
premtove parajsë e i fale ferr.
Ti që i thua vetes burrë
por i tillë s'do të jesh kurrë
as për fëmijë s'ke dashuri
kur i godet nënën në sytë e tij
Mjaft! Se durimi ka kufi
njëherë në jetën tënde bëhu zotëri,
sa herë godet atë krijesë të shkretë
ke goditur nënën që t'solli në jetë,
ditët që i dhurove të zeza si nata,
një ditë do të kthehen në njëmijë shuplaka.