>
LETERSISHQIP

Le Të Flasin...

Shtrëngata fjalësh si çekanë godasin
që s'i kapërdin dot shqisa e dëgjimit
le të çlirohen, ç'të duan le të flasin
ata, skllevërit e egoizmit.

Ta nxjerrin nga shpirti merakun a smirën,
ata, shkencëtarët e fjalës së rreme
e vërteta ime ua çjerr fytyrën
madhështia e saj, zonjë mbi probleme.

Përballë meje gjithmonë lavdërojnë
porsa u kthej shpinën helm u bëhet mjalta
të flasin ç'të duan nuk më bëhet vonë,
le të mbajnë fjalime apo ligjërata.

Nje fjalë me shumë a një fjalë më pak
nuk ma rëndon dot identitetin
e vërteta eshte aty për të marrë hak,
sa herë i padrejti lufton te drejtin.

Aty le të mbeten, duke më përmendur
le t'mi çajnë hallet ku janë e ku s'janë
për kryeveprën time le të jenë të etur
unë po shuaj etjen për t'ja dalë mbanë.