>
LETERSISHQIP

Sonte Sodis Vetëm Nurin Tënd

E dashur Nënë,
nuk e dhe frymën (e fundit)
pa të takuar edhe njëherë
pa të puthur ballin tënd bilur
pa të lehtësuar dhembjet e thinjura
pa të thënë lamtumirë, o nur!

Sonte sodis natën e zezë mbi Bardh
e zemra e bardhë u nxi
ndjehem si bonjak, shpirti ka mall
mbase, kurrë më s’do t’i prek ata sy

E mëtoj pellgut të lotëve, all…!

Nënë, ma fal buzëqeshjen si privilegj të lindjes
se sonte na u thanë damarët prej dhimbjes!

Nënë, o nënë…
kryepersonazh jete
pas njëmijë dashurive
prapë paska vdekje?!

Ah e dashura Nënë
Ishe toka ime
Ti bota ime ishe

kurrë më s’më përcjellin pritjet as ndarjet
madje të pakuptimta më bëhen edhe vajtje – ardhjet…!

Unë biri yt bonjak!!!

(Nëntë yje mëtojnë nurin e Hanës kësaj Dite
se retë e zeza kur bi’jnë edhe kur del Hëna
dhembjet, i thyen notat në pentagram, oiii, oiii, oiii…
stuhi e zezë mbërthen motin, kur s’flet më Nëna.)
Prishtinë (Bardh), 5/6 shtator 2018