>
BIOSHQIP
Biografia
Shkollën fillore dhe atë të ultën të muzikës i kreu në vendlindje. Që nga mosha 5 vjeçare ishte valltar në Shoqërinë Kulturore Artistike të këngëve dhe valleve në Kumanovë bashkë me babain e tij i cili ishte koreograf dhe këngëtar trio. Nga kjo kohë Hidaverit i lindi dashuria ndaj muzikës dhe artit, kështu që, nga mosha dymbëdhjetëvjeçare ai orientohet i tëri kah muzika dhe përveç si valltar, ai vazhdon edhe si instrumentist, më saktë, si fisharmonikist i shoqërisë muzikore. Më 1982, bashkë me anëtarë të tjerë, në Kumanovë formojnë grupin popullor “Shkëndia”. Gjatë viteve 1980-1990, kryesisht merret me muzikë popullore dhe gjatë kësaj kohe, së bashku me shokët e tij formojnë grupin i cili quhej “Dashuria”, në të cilin grup Hidaveri merr pjesë si sintisajzerist dhe njëherit edhe si këngëtar vokal përcjellës i grupit. Në këtë grup merrte pjesë edhe këngëtari i muzikës argëtuese Xhelal Xheladini. Puna të cilën e bënin ky grup ishte mjaft e vështirë dhe me pengesa. Edhe përkundër provave të shumta, mbrëmjet muzikore ishin të pakta për shkak të pengesave nga ana e regjimit të atëhershëm komunist. Ky grup muzikor, i përbërë nga entuziast të muzikës, merrte pjesë në mbrëmjet e grupeve të qytetit që quheshin “Kitariada”, por në të cilat dominonin grupet maqedonase. Për të marrë pjesë në këto mbrëmje, grupet muzikore shqiptare duhej t’i nënshtroheshin audicionit dhe do të përzgjedheshin vetëm dy grupe shqiptare. Vlen të përmendet që, në këtë kohë disa nga grupet të cilat vepronin ishin: “Foleja”, “Hareja”, “2+”, “Besa” etj.

Pas kryerjes së shkollës së mesme të muzikës në Prishtinë, si rezultat i punës me përkushtim në kultivimin e muzikës, më 1991 doli kaseta e tij e parë me titull “Mallkoj Vehten”. Kjo kasetë e tij, e cila ishte botuar në 3000 exemplarë, u shpërnda jo vetëm tek ne, por edhe në tërë Europën dhe në SHBA. Kjo shpërndarje bëri jehonë dhe zgjoi interesim të madh, kështu që, produksioni i parë i kasetave “Albanota” mori të drejtat për botimin dhe shitjen e saj. Me këtë kasetë, këngëtari Hidaver Osmani fitoi një publicitet të madh dhe një rejting të lartë. Këtë e dëshmon edhe marrja e vendit të parë në shumë toplista të radiove të kësaj kohe si dhe zgjedhja e këngëtarit të vitit për vitet 1991 dhe 1992. Më pastaj, në festivalin “Kumanova këndon” që organizohej në Kumanovë, zuri vendin e parë dhe ishte këngëtar i vitit për vitin 1993, kurse më 1994 zuri vendin e dytë. Në festivalin e ROCK-ut, në të cilin merrnin pjesë grupet nga të gjitha trojet shqiptare dhe i cili u mbajt në palestrën sportive në “Kale” të Shkupit, prezentohet me grupin “Boemët” me dy këngë nga albumi i tij. Më tutje vazhdojnë sukseset e tij në festivalin argëtues “Nota Fest”, në të cilin merr pjesë me një këngë e cila u mirëprit nga publiku dhe nga juria e festivalit e cila nuk kurseu kritikat e shumta pozitive. Këngët më të dëgjueshme të kësaj kohe janë: “Mallkoj vehten”, “E pabesë”, “Jo, s’dua të jetoj” dhe “Nora”. Më 1993 publikohet dhe del në shitje albumi i tij me tetë këngë argëtuese që titullohej “Lotët vijnë nga shpirti”. Nga ky album, poashtu, dolën disa hite që u mirëpritën nga publiku dhe dashamirët e muzikës argëtuese dhe të këngëve të lehta, si: “Ndarja jonë”, “A është mëkat”, “Ndryshuan rrugët tona” etj. Më 1995, publikon albumin e tij të tretë të titulluar “Kot mundohem të harroj”, i cili poashtu, u mirëprit nga publiku dhe shpesh dëgjoheshin në radio e televizione të ndryshme. Këngët më të dëgjuara të këtij albumi janë: “Meri, Meri Merita”, “Pranvera pa ty”, “Asaj”. Sukseset nga puna e tij e palodhshme nuk kanë të ndalur edhe më tutje. Kështu, më 1999 publikon albumin “Ankthi si hije”, e cila nuk pati publicitetin si ato të mëparshmet për shkak të klimës së rëndë politike që mbizotëroi në vitin 2000 dhe e cila klimë, më pas, rezultoi edhe me luftën e vitit 2001. Më 2004 pason albumi i tij me titullin “Nomadja”, i cili është i pesti me radhë. Në këtë album vërehet një ndryshim në zhanrin e tij të preferuar muzikor si dhe vërehen disa gërshetime të llojeve të ndryshme të muzikës dhe instrumenteve. Poashtu, ky album veçohet edhe me aranzhmane të punuara nga maestro AFFA-Bend. Nga ky album dolën mjaft këngë të mirëpritura dhe të dëgjueshme për publikun, por shpërndarja nëpër disa troje shqiptare nuk ishte e mjaftueshme. Kjo ndodhi për shkak të përhapjes së Internetit, i cili e zvogëloi interesimin për kaseta dhe CD. Nga ky album këngët më të dëgjueshme ishin “Nomadja” dhe “Kumanovarja”.

Kohët e fundit, Hidaveri merret ende me muzikë, por më shumë duke argëtuar publikun në kafiteri të ndryshme, nëpër ahengje e mbrëmje të maturantëve. Është kultivues i muzikës së mirëfilltë shqipe dhe fokusi i tij është kultivimi i muzikës argëtuese dhe dëshira e tij e veçantë është që të gjithë simpatizantët e tij të jenë të kënaqur me muzikën që e kultivon ai.

Në vitin 1991, Hidaver Osmani publikon albumin "Mallkoj Vehten".

Në vitin 1993, Hidaver Osmani publikon albumin "Lotet Vijne Nga Shpirti".

Në vitin 1995, Hidaver Osmani publikon albumin "Kot Mundohem Te Harroj".

Në vitin 1999, Hidaver Osmani publikon albumin "Ankthi Si Hije".

Në vitin 2004, Hidaver Osmani publikon albumin "Nomadja".