>
LETERSISHQIP

Ngrehu

Thon’ për ty që ke mbarumun
E gjallsi ti ma nuk ke;
Thon’ për ty që je poshtnumun
O atdhe!

Jan kah thon’ se t’vdiq trimnia,
Qysh se t’ra ajo rrufe;
Thon’ se ty t’u prish djelmnia,
O atdhe!

Thon’ se je nji komb i lanun,
Ma i poshtri ti sot je;
E çka s’jan’ për ty tuj thanun,
O atdhe!

Cdo që bota do të flasin,
Mbushu plot shpres’ të re!
Ty asgja nuk do t’humbasin,
O atdhe!

Shkundi t’rrebtat arm’ mizore
E për luft’ thirrna ne!
Botës diftoj’ që s’je me kore,
O atdhe!

Kshtu ndër kombe tjera njehu,
Tunde botën mbar’ në dhe!
N’luft’ me djelmt’ e tu ti ngrehu,
O atdhe!