>
LETERSISHQIP

Cungimi I Naim Frashërit

Nuk u botua kurrë i plotë,
Naimi, i ploti i të plotit,
për ”kufizime ideore”,
se i besonte fesë, zotit.

Dhiatave dhe Qerbelasë,
i zhdukën barbarisht çdo fletë,
me maskë moderne, vepronin,
si inkuizicioni në Mesjetë.

Përpara dritës, të verbuar,
hiqnin Naimin e ndritur,
ndërsa me shkronja të mëdha,
botonin ca libra të fishkur.

Naimit pa fund e anë,
në letra i vinin kufi,
i hidhnin hije ca mjeranë,
që s’qenë as hije para tij.

Shënonin: ”Me qëndrim kritik,
të shihet nga brezat e tjerë!”.
Ai lartohej mbi të gjithë:
”Ti, Shqipëri, më ep nder…!”

E reduktonin pa mëshirë,
e retushonin për asgjë,
kur e plotësonin sa më mirë,
ata që s’e kishin kurrgjë.

Dhe u lexua i cunguar,
kur shenjë cungimi s’kish ai,
harruan se dhe shumë dhe pak,
floriri mbetet po flori.

Kurrën e kurrës s’u kuptuan,
se qenë dy skaj të gjithësisë,
nga botë e vogëlsisë ata,
ai, nga botë e madhështisë.

Por koha, e rreptë e të rreptit,
i vë në vend, turp e lavdi,
kujt merr më shumë, ia heq teprinë,
ku duhet, fal me bujari.

Ashtu siç shuanin të tjerët,
i shuajti pa pikë ngurim,
ndërsa në kujtesën e kombit,
Naimi mbeti po Naim.