>
LETERSISHQIP

Ninulla E Nënës

Flokëzbardhur, ballërrudhur,
jam kthyer si nga përralla,
para pragut ku u linda,
mbledh kujtime borë të bardha.

Dhe i zgjoj nga gjumi i gjatë,
sa i prek pak me kujtesë,
ato çelin si zambakë,
gjallërohen, marrin jetë,

Janë aq shumë…s’i nxen shtëpia,
s’kanë një grimë pluhur në shpinë,
asnjë rrudhë s’ka marrë freskia
dhe në flokë s’kanë asnjë thinjë.

Vijnë larg, nga një kohë tjetër,
nga një kohë e tjetër ngjyre,
por ndërsa ato vijnë pranë,
unë shkoj pas, te kohë e tyre.

Dhe vazhdoj kërkoj me ngut,
rrëmoj thellë kujtesën time.
-Ç’po kërkon?- më thotë një zë.
-Një ninullë të nënës sime.