>
LETERSISHQIP

Zogu I Vogël

Në folezë një zog i vogël,
zog i vogël sa një gogël,
i tund krahët me nxitim,
bën mësim për fluturim.

Krejt i vetëm jep e merr,
pa mësues, trainer,
po pranë degës i rri nëna
dhe i mbush syçkat me ëndrra.

Një vogëlush e kundron,
edhe nënës s’ia përton:
-Pse e vështron si e huaj,
një këshillë, një fjalë s’i thua?

Zogu nënë i flet nga lart:
-Fluturimi është art,
kush do qiejt t’i zaptojë,
mëson vetë të fluturojë.