>
LETERSISHQIP

Ëndërr Për Duart E Tua

Nuk përqafohemi më,
s’shikohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
m’u ulën mbi flokë si mjegulla.

Duart e tua paskan mbetur te unë,
si hiri i zjarreve në shpella.

Nuk përqafohemi më,
mallohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime,
si shirat e vjeshtës përzënë nga era.

Duart e tua paskan mbetur te unë,
si rrënjët e pemëve të shkelura në dhera.

Nuk përqafohemi më,
harrohemi.
Po duart e tua, e dashura ime,
humbasin si ujërat,
hyjnë nën lëkurë dhe bëjnë rrëmujë atje brenda...

Një jetë të tërë,
pres të dalin prej meje duart e tua,
të më qetësojnë mua.