>
LETERSISHQIP

Ikja E Dherave

Ikin zogjtë çdo vjeshtë mes qiejve të tunxhtë,
me gjethet e zverdhura, mes shtjellës së erërave,
ikin ujërat me avujt e shirat e plumbtë,
po mua më tremb ikja e dherave.

Ikin njerëzit pas brigjeve në një udhë të trishtë,
mbetet prapa pritja e ngjethtë – ankth e pezm,
ikin gurët e varreve në një pllajë të rrëpirtë,
e mua prapë ikja e dherave më tremb.

Ikin shpirtrat e sytë, ikën dielli dhe hëna,
ikën nata dhe dita, ikën vdekja dhe jeta,
s’ikin nga jashtë siç pandehim, ikin nga brenda,
s’ikin me shpendët dhe njerëzit, ikin me dherat.

E mua më tremb ikja e dherave gjithmonë,
jo ikja e zogjve, e gjetheve, e ujërave, planeteve.
Ikja e dherave është ikja e gjakut dhe shpirtit tonë
të brishtë. Përtej sikleteve...