>
BIOSHQIP

Indrit Mesiti Shpjegon “Fabulën” E Këngës Së Re

03-06-2013
Indrit Mesiti, i njohur ndryshe si lideri i grupit “Qelbanix”, ka provokuar këto ditë gjithë përdoruesit e rrjeteve sociale me këngën e tij më të re, nën titullin “Cicat”, e cila ka arritur brenda një jave afro 70 mijë klikime në Youtube. “Mendoj se shumë vajza marrin një formim klishe që në fëmijëri, ku puthjet në çift konsiderohen si hyjnore dhe se ato masin sasinë e dashurisë, ndërsa seksi konsiderohet më banal dhe ka të bëjë me të përfituarit ftohtësisht nga trupi i tjetrit. Unë mendoj që nuk ka asnjë ndarje të tillë për të shprehur fizikisht afeksionin për një person që të pëlqen, dhe pikërisht kënga “Cicat” shpreh frustrimin e sinqertë të një djali që nuk e ka këtë klishe në mendje”, – thotë kantautori kur e pyesim mbi fabulën e këngës. Teksti i këngës, megjithëse me përmbajtje vulgare, është kthyer në një himn për “Facebook”-un, ku shprehja ‘hiqi sutjenat’ është më e përdorura e momentit… Në këtë intervistë për “Bluetooth”, Mesiti rrëfen se si lindi kënga dhe arsyeton mungesën e tij të gjatë në skenat muzikore…



Si lindi kënga “Cicat”?
Është disi misterioze edhe për mua kjo pyetje. Më kujtohet që u kompozua dhe u regjistrua në prill të vitit 2011. Në atë periudhë jetoja në qytetin e Sèvres, që ndodhet në Francë. Kënga erdhi duke studiuar piano në mëngjes, dhe për t’u shplodhur disi, fillova të luaja me këtë idenë komike, ku një këngë që tingëllon shumë romantike, të ketë një tekst tepër qesharak dhe vulgar. Dhe e gjitha erdhi aq natyrshëm, sa brenda 45 minutash u krijua dhe u regjistrua, pasi në dhomë kisha studion time të regjistrimit. Më kujtohet që kam qeshur me të madhe gjatë gjithë procesit. Pasi e përfundova, kënga mbeti e fjetur në kompjuterin tim për 2 vite. Madje në mendjen time ky regjistrim ishte sa për të hedhur idenë në mënyrë që mos ta harroja dhe që një ditë do më duhej ta bëja më me cilësi. Pak ditë para se ta publikoja, po komunikoja në internet me pjesëtarët e grupit ‘Qelbanix’ ku unë bëj pjesë, dhe për humor iu tregova këngën “Cicat”. Ata e pëlqyen aq shumë humorin, sa basisti i grupit, Julian Gjoni, insistoi dhe më kërkoi leje që ta publikonte. Unë i thashë “OK, por më parë do e hedh videon në faqen time të Youtube-it”, dhe do ia dërgoja që ai ta publikonte. Zgjodha një foto që dukej si romantike dhe tashmë videoja ndodhej në internet. Juli e publikoi të nesërmen dhe nga aty mori dhenë…



Çfarë komentesh ke marrë?
Ajo që mund të them është se publiku është i ndarë përgjysmë në lidhje me këtë këngë dhe komentet janë ekstremisht të kundërta ndërmjet tyre. Njëra anë e vlerëson në maksimum humorin dhe guximin, ndërsa ana tjetër më fyen me një gjuhë shumë më të rëndë se vetë teksti i këngës. Disi paradoksale mendoj. Fatkeqësisht sensi i humorit në Shqipëri është goxha i limituar për shumë njerëz. Gjithsesi, unë jam shumë i lumtur që kjo këngë po ngjall debat, në lidhje me lirinë e të shprehurit, lirinë në komedi dhe në përdorimin e gjuhës.
E prisje që të kishte kaq shumë bujë?
Jo kaq shumë. Unë e konsideroja më shumë si një humor mes miqsh dhe nuk e kam parë si një këngë me të cilën do të prezantohem dhe përfaqësohem në publik.

Kush e ka shkruar tekstin e këngës?
Gjithçka është bërë nga unë, përveç fotos që ndodhet në video, e cila është bërë nga fotografja Manila Harizi.
Ia kushton ndonjë vajze në veçanti?
Jo, por di që situata që përshkruaj në këngë më ka ndodhur, dhe sipas shumë miqve të mi, është një situatë që me sa duket të gjithë e hasin shpesh.
Kaq shumë e kanë bërë të vështirën me ty femrat?
Nuk mendoj se kanë bërë të vështirën me mua më shumë sesa me të tjerët, por mendoj se shumë vajza marrin një formim klishe që në fëmijëri, ku puthjet në çift konsiderohen si hyjnore dhe se ato masin sasinë e dashurisë, ndërsa seksi konsiderohet më banal dhe ka të bëjë me të përfituarit ftohtësisht nga trupi i tjetrit. Unë mendoj që nuk ka asnjë ndarje të tillë për të shprehur fizikisht afeksionin për një person që të pëlqen, dhe pikërisht kënga “Cicat” shpreh frustrimin e sinqertë të një djali që nuk e ka këtë klishe në mendje.



Pse të kemi parë të tërhequr nga muzika gjithë këto kohë?
Kam qenë i tërhequr nga skena shqiptare, pasi u bënë 3 vite që jetoj në Paris dhe jam fokusuar më shumë në formimin tim si artist dhe zhvillimin e karrierës sime këtu. Mendoj që në të ardhmen do jem me aktiv në Shqipëri, pasi besoj se mund të kontribuoj në evoluimin artistik të vendlindjes sime.
(Bluetooth)

Indrit Mesiti Shpjegon “Fabulën” E Këngës Së Re