>
BIOSHQIP

Inva Mula Merr Titullin “Nderi I Kombit”

27-11-2012
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot sopranon e shquar shqiptare Inva Mula me Urdherin "Nderi i Kombit", me motivacionin: "Figurë e shquar e artit dhe kulturës shqiptare, e cila me zërin, artin dhe interpretimin e jashtëzakonshëm pushtoi skenat më prestigjioze botërore, duke u bërë, njëherazi, një dritë në terrin informativ të botës për Shqipërinë e duke u shndërruar në imazh të vlerave të saj, si një vend me kulturë të lashtë, me histori, dhe me tradita të pasura". Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Presidencë ishin të pranishëm Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, personalitete të shquara të artit klasik, të kulturës dhe të skenës shqiptare, si dhe miq e të afërm të artistes së madhe. Duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të sopranos Inva Mula, brenda vendit dhe në botë, Presidenti i Republikës u shpreh se "unë besoj thellësisht, si President i Republikës se shpreh aprovimin e të gjithë qytetarëve të vendit tim, por edhe të gjithë shqitparëve kudo janë, për të nderuar kontributin dhe veprën madhështore të Inva Mulës. Duke nderuar sot zonjën e madhe të kulturës, Inva Mula ne nderojmë në radhë të parë historinë e kulturës shqiptare, nderojmë një epokë të ndritur të kulturës dhe artit shqiptar. Është padyshim një moment nderimi për emrin e madh të familjes Mula, për kontributet e mëdha, që i kanë sjellë kulturës, artit të këtij vendi". "Në tërësi, gjatë këtyre 100 viteve historia jonë ka qenë herë-herë e fshehur, herë-herë dhe e izoluar. Por, arti dhe kultura nuk mund të izoloheshin dhe nuk mund të ndaleshin kurrë. Natyrisht, në këtë liri të kulturës, në këtë madhështi të vlerave të një kombi siç është arti dhe kultura, këta personalitete, ku Inva Mula qëndron me më të mëdhenjtë e kombit tonë, kontributi i tyre, vlerësimi i tyre, angazhimi i tyre bëhet i pazëvendësueshëm", nënvizoi Presidenti Nishani duke theksuar se "krahas nderimit që toka që lindi dhe e rriti Invën ka sot këtë personalitet, krahas nderimit, që jam i bindur ndjen çdo mik dhe çdo i afërm i Inva Mulës, unë si President i Republikës kam nderin t'i akordoj asaj titullin e lartë 'Nderi i Kombit'. Pas marrjes së Urdhrit të lartë "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një atmosferë emocionesh dhe duartrokitjesh, sopranoja e mirënjohur, Inva Mula u shpreh e emocionuar se "Në fakt jam mësuar ta menaxhoj emocionin, por ka momente vërtet që njeriu nuk e fsheh dot. Është një nder i madh, por është një nder i madh që ky Urdhër më jepet sot, në këtë vigjilje të mrekullueshme, ku çdonjëri nga ne ndjehet krenar që është shqiptar. Është momenti më i bukur i gjithë karrierës sime ky vlerësim që më bëhet nga populli i vendit tim, nga njerëzit e dashur të mi dhe ju falënderoj vërtet për gjithë këtë përkrahje që më keni dhënë. Ju thatë një fjalë shumë të bukur që jam dritë në botë pikërisht për të hequr atë terr që ka bota për Shqipërinë. Kam bërë një punë, të cilën e kam pasur për detyrë që ta bëj, por tani do e bëj akoma më shumë që të vlerësoj 'Nderin e Kombit.'", përfundoi fjalën e saj sopranoja e shquar shqiptar
(albeu)

Inva Mula Merr Titullin “Nderi I Kombit”