>
LETERSISHQIP

Nuk Shitet Kjo Shtëpi

Nuk shitet, as nuk blihet kjo shtëpi,
aty flenë e zgjohen miliona kujtime,
si thërrmija të bardha enden në ajër
bisedat që lamë atje dhe ëndërrimet.

Në korridorin e tkurrur nga vetmia
jehojnë ende hapat e prindërve të mi,
ecejaket e lehta të nënës e mbushnin
si simfoni hyjnore të gjithë shtëpinë.

Hyj në kuzhinë: divanët e lodhur -
njëri prej tyre ku mbështetej im atë,
mund të duket i vjetër, gati i rrënuar,
por ai praninë e tij ende e mban.

Në aneksin e vogël, dy hapa më tutje
ndihet aroma e kafesë së ngrohtë,
s’e krahasoj me parfumet më të mira
që shiten nëpër dyqanet pafund sot.

Ky kuadër me bojëra vaji mbi mur,
ku në ishull strehohet një shtëpi-vilë,
përmbledh dëshirën time për të jetuar
tok me familjen në një botë më të mirë.

Kujtimet i japin një vlerë që s’llogaritet,
e bëjnë shumë të shtrenjtë, jo si çmim -
po për shpirtin, zemrën, ndjesitë e mia.
Nuk shitet, as mund të blihet kjo shtëpi!


IRMA KURTI