>
LETERSISHQIP

Më Mungon Zëri Yt

Më mungon shumë zëri yt baba,
kur ne bisedonim në çdo kohë,
i thellë si muzikë, i ashpër,
tashmë është kthyer në jehonë.

Mundohem ta sjell ndër mend,
po nëpër ditë ai mjegullohet,
para teje tulatem si fëmijë,
vështrimi laget me pika loti.

Në duar si gonxhe të paçelura
mbaje poezitë e mia në letër,
ti m’i flakje tej pasiguritë,
ti ishe kritiku im i vetëm.

Nuk e dija se paska sëmundje:
ta vjedhin zërin në një çast,
ta rrëmbejnë fjalën - atë urë
që na lidhte të dyve bashkë.

Do t’më mjaftojë heshtja jote,
vështrimet në fjalë do i kthej
buzëqeshjen e ëmbël që më fal
do ta vë në shpirt si ylber.

Më mungon shumë zëri yt baba...
Nga libri “Pa atdhe”, 2017