>
LETERSISHQIP

Si E Ndjen Veten Vogëlush?

Si e ndjen veten vogëlush në botën
ku dhimbja jo, nuk njeh asnjë kufi?
Nëna jote iku krejt papritur, atje
ku vuajtjet s’ekzistojnë natyrisht.


Kush do të ta mbushë jetën me këngë
e do të të përkëdhelë me vështrim?
Në ç’sy do të shihesh si në pasqyrë,
kush do të të thërrasë: “biri im?”.

Kush do të të thotë fjalë të ëmbla,
ku do ta gjesh një dashuri të tillë?
Ke nisur ta shohësh botën, pa ngjyra,
të egër dhe krejtësisht bardhë e zi?


Fati të braktisi tani që je fëmijë,
do ta gjejë udhën për tek ti prapë?
Do të të mërzisë mëshir’e njerëzve
e si rreckë të vjetër do ta flakësh?

Nëna është në parajsë, lart në qiell,
besoje, deri sa të rritesh një ditë.
Fati të braktisi tani që je fëmijë,
do ta gjejë udhën prapë për tek ti?

Nga libri “Kohë për t’u dashur”, 2019.