>
LETERSISHQIP

Ura E Ibrit

Ç’ka që URA rri e heshtur,
Rri e shtangur
E bërë vrerë?
- Ah, ka vite, këmbë fëmije
Mbi kurriz ajo s’ka ndier.
Urë i thënçin,
Po urë s’është
Të lidh’ krahët e një lumi.
Njëri krah i ngeli jashtë
E tjetrit dhembjet s’ia mbytë gjumi.
Asaj korbat roje i bëjnë
Sikur t’ndjellin fatzi, kob…
T’bashkojë krahët nuk e lënë.
Me një krah si t’rrojë, o Zot?!!!
E IBRI ecën,
Turbullt ecën
Dhe ofshamën e mbyt n’veti.
Kërkon nëna fëmijën e vdekur
Që n’gji lumi sa s’ia treti.