>
BIOSHQIP

Jericho: Populli Nuk Ha Bar

01-01-2013
Kudo me paraqitjen e tyre kanë nxitur interesim të madh të adhuruesve, kjo për faktin se këngët e grupit tanimë të popullarizuar “Jericho”, përveç që kanë melodi të bukur dhe interesante, ato gjithashtu bartin edhe porosi dhe lidhen fort me traditat dhe rrënjët tona. Anëtari i këtij grupi Petrit Çarkaxhiu, në intervistën dhënë “Zëri”-t, flet për angazhimet e shumta që kanë pasur gjatë këtij viti, por edhe sfidat dhe problemet me të cilat janë përballur ata. - A mundeni në fillim të na tregoni si ishte ky vit për ju? - Ishte një vit interesant, me shumë udhëtime, me shumë eksperienca të reja, me kontakte të reja me njerëz të rinj. Kam pasur mjaft koncerte me Jericho-n, kam qenë pjesë e një projekti shumë interesant televiziv duke i realizuar 13 emisione dokumentare nëpër vende të Ballkanit, kam vazhduar punën e rregullt në Radio Blue Sky me mysafirë interesantë si dhe kam filluar më në fund edhe punën me studion time të arkitekturës që shpresoj të jete akoma më e ngjeshur në vitet e ardhshme. - Ndonëse keni qenë të ftuar në “Balkan Trafik 2012” që u mbajt muaj më parë në Bruksel, nuk morët pjesë sherri i vizave, kush ishte fajtori? - Përfundimisht bendi do të mund të merrte pjesë në festival mirëpo eksperienca që patëm me viza na irritoj dhe e pamë të udhës që ta shfrytëzonim këtë rast që edhe ne të japim një kontribut në sensibilizim të këtij problemi pasi që BE-ja krijon një ndjenjë përjashtuese dhe fyese për qytetarët e Kosovës. - Gjatë vitit të lamë pas ju keni qenë pjesëmarrës edhe në Tiranë me kompilacionin “Gegh rock”. Si u prit gegërishtja në një vend ku dominon toskërishtja? - Sllengu i Tironsve është në fakt gegërishtja, prandaj edhe ndjehen komod me ne dhe na përjetojnë si pjesë e skenës lokale. Kjo na bënë që edhe ne të ndjehemi si në “mahallë” kur bëjmë muzikë në Tiranë. Ajo që më së shumti na ka gëzuar është se kemi ndjerë një afërsi dhe kemi pasur një komunikim me publikun që do ta quaja “intim”. Kjo besoj përveç tjerash është për shkak të mentalitetit dhe disa traditave që janë shumë karakteristike për qytetet shqiptare si Tirana e Gjakova, prej nga edhe jam me origjinë. - Ju keni kontakt me rok-grupet kosovare, ato shqiptare dhe nga bota e jashtme, ku është ky zhanër i muzikës tani te ne dhe sa dallojmë nga roku që po bëhet momentalisht në botë? - Skena kosovare e muzikës është një skenë tashmë e pjekur dhe bënë një punë mjaft serioze, gjë e cila dëshmohet edhe prej përshtypjeve të bendeve të huaja me të cilat jemi në kontakt po edhe prej reagimit të publikut në prezantimet e bendeve kosovare. Unë personalisht për këtë punë jam bindur me rastin e performimeve tona që i kemi pas kohëve të fundit në Lubjanë, Cyrih, Stamboll dhe së fundi në “Montreux Jazz Festival”. - A keni ndonjë ndihmë financiare nga dikush, apo tërë krijimtarinë e juaj e bëni me të hollat tuaja? - Varësisht. Ka këngë që i kemi financuar vet dhe ka që janë përkrahur nga organizata kulturore, kompani private dhe tani së fundi publikimi i këngës “Nëntor i Ftohtë” nga Departamenti për Kulturë në Komunën e Prishtinës. - Sivjet e lansuat edhe këngën “Nëntor i Ftohtë”, kujt i kushtohet kjo këngë dhe a e arriti suksesin që e keni menduar? - Kjo këngë është një lloj cytje për të qenë më të informuar për të kaluarën tonë, për datat dhe ngjarjet historike që idealizohen dhe me të cilat manipulohet pothuajse pareshtur nga çdo “elite” intelektuale që udhëheq me shqiptarët. Është një këngë që ka për qëllim të nxit një mendim më të thellë dhe më kritik karshi konstrukteve identitare të cilat i servohen e i imponohen popullit me shumë arrogancë, duke i trajtuar qytetarët sikur të ishin një kope e deleve. - Çka mund të presim nga ju gjatë vitit të ardhëm, a do të vazhdoni të jeni në njëfarë formë një “opozitë” me këngën tuaj kundër të këqijave që po i pëson populli ynë nga qeveritarët e tanishëm? - Nuk e di sa do të jemi aktiv. Më mirë do të ishte po që se çdonjëri prej nesh do të fillonte të merrej më seriozisht me vetveten. Besojë që në atë mënyrë nuk do të kishim nevojë shumë për opozitë, ose të paktën frytet e kësaj “opozite shoqërore” të përbërë nga media, artiste e aktiviste, do të ishin shume më të dukshme. - Ndonjë mesazh për fund? - Për “elitën” kosovare të çdo sfere, pozitë e opozitë, media e organizata, artistë e sponsorë: “Populli nuk ha bari”
(Valon Krasniqi / zeri)

Jericho: Populli Nuk Ha Bar