>
LETERSISHQIP

E Mora Vetën Me Veti

I.
Fillimisht
një rrugë e ngushtë
sa mezi vetën ta zë, me marrë me veti
pastaj ec e ec deri te pika e parë,
atje ku edhe fillon kuptimi

rrëmujshëm
m’u shfaqën shumë shpejtë ëndërrimet
teksa një ditë nisa me i pa
gjumnajave të zgjuarjeve
ta solla vetën time në shkollë
mësuesi Ukë, ma oriento tutje,
do ta bart deri ta qes matanë

atje ku janë kuptimet plotë

jeta ka dëshirat e veta
ashtu i ka edhe dashuria
por të pafundme
do të vijmë pas zgjuarjeve
të dritës, fatit të njeriut si dihet
ka diçka të fatshme kjo rrugë.

II.

E pasi i kalova diku
vetëm hapat e parë
rrugëtimit të jetës
nis me m’ përftua fati i vetës time
mirënjohje i shpreh guximit
për ditët që vijnë,
për syrin larg hedhës, besimin shprehës
nëse ka diku të vërtetë
duhet pasur guxim të besosh
kështu pra Atdheu i robëruar
ta pruna vetveten deri në fund të vuajtjeve

gjithë kjo zhgjëndërr e gjatë
sa s’u shuan lindjet e Diellit
një ditë plasi ma, nisi lufta në Kosovë
e tash thanë: këtu e tutje fajtor është pafajësia
me emra ma pagëzuan vdekjen
me mbiemra lirinë.

III.

Bana çka bana
dhe e pruna vetën deri këtu
tani të gjitha i ke kohë
çka të bëjë me ketë
vetën time të bartur
nëpër kohë

bëj ç’të duash me të,
por mos harro rrugët e gjata
rrudhave të ballit të historisë.

Pranverë 2016, Knoke Belgjikë.