>
LETERSISHQIP

U Ula Në Fund Të Vetëvetës

Në kujtesën time
u ula
dhe prita e prita
gjerë sa të gjitha përfundimet
i nisa nga fillimi
e vërteta fashiti ëndrrat
kuptimi e humbi kuptimin
e vet
koha tha se u përkiste kohanikëve të djallit
kësi soji besimi u konvertua në
pabesim

një ligate kohe u dha forcën të ligjve
shpresa dhe dëshira u shndërruan në iluzion
koha paska qenë e tyre
e vërteta e pavërtetë
fjala heshti
dhe, jam unë që u zgjova nga kujtesa ime
mbështetur në kujtesën tuaj

shikoj ecjet e hapave të kujtesës
që grimcojnë të ardhmen
ulur në kujtesë
e po kujtoj se puna
është lodhur
çlodhem parashikimeve

u lodha së pushuari
dhe u nisa
përpjetë mendimeve
të mendoj pak më shumë
se kujtesa
ky vendbanim harrimesh
përditë e më shumë?
po harron të dal në krye
të kuptimit

vetëm harresë, harresë dhe
mbaj mend harrimet.