>
LETERSISHQIP

Me Gotën Në Dorë

Po mbledh fjalët shqipe
Nga janë e nga s’janë;
E për ndërrim vitesh
T’i shpalos me radhë

Me gotën në dorë
Me dritën në sy
Për ju arbërorë
Uroj mirësi...!
Gëzuar, shqiptarë
Nëpër trojet tona
Edhe nëpër botë!
Ky vit qoft’ i mbarë.
Qofshi shëndetplotë !
Gëzuar miqt’ e mi
Të gjendur gjithkund ;
Ngrejeni, pra, gotën, ,
Ta pimë me fund...!

T’iu gjejë Viti i Ri
Të pasur e shpirtdritë !
Emri Arbëri
Të çajë lartësitë...

Gëzuar, shqipfolës
Gjithkund gëzoni jetën
Gjejini fundin gotës
Rrokni të vërtetën !

Shpall urimin më të fismë
Për sportistë e këngëtarë
Për gjithë ç’janë artistë
Dhe amvisat –kudo janë ...

Jap urimin tim zëlartë
Për ç’janë nëna e gjyshe
Për bujq, punëtor’ duarartë
Përjetofshi një vit ndryshe ...

Gëzuar ju o shkrimtarë
Iu shtofshin frymëzimet...
Për krejt kombin mbarë
Mos iu shtershin shkrimet ...

Gëzuar, gazetarë
Mbrehni mirë “lapsin”
E ardhmja qoftë e bardhë
E mbarë, jo sëprapthi...

Gëzuar, moshatarë
Iu shtoftë shëndeti,
Shtetin paçi pranë
Iu rrittë buxheti...!

Gëzuar, o historianë
Ju faktet t’i shihni hollë
Kurrë si politikanë
Mos i thoni këmbës- dorë

Gëzuar, riosh’ e rioshe
Paçi lumturi e fat
Mos gëzofshi jetën boshe
U lartofshi dhe më lart !

Gëzuar pushtetarë,
Iu shtoftë logjika ...!
Punofshi për mbarë
E jo për të liga...!