>
LETERSISHQIP

Grua, Të Lutem!

Kasianisë në 68-vjetorin e lindjes, 18 janar 1945
Të lutem,
M’i dëgjo ca fjalë,
e dashur grua:
po të përgjërohem
shtruar-shtuar;
këtë herë po të lutem
në emër të të njëjtit muaj
e të të njëjtit vitlindje,
që i përkasim:
mos artikulo kot më kot
nëpër gojë
fjalët “vdekje” e “sëmundje”,
kur as te shtegu i kopshtit
s’duhet t’i qasim...
S’na duhen më trembje shpirti
në këto vise pleqërie,
Edhe vetëm
duke i zënë në gojë,
gati sa s’më kapin ethet
e një shtëpie rrënojë...
Duket se i hapet shteg
një jete të tjetërsuar,
e jete të mërzitur,
kur të qetë duhet të mbesim.
Grua të lutem,
Të mos e ndjellim tersin!
T’i lëmë gjërat...
natyrshëm, të ecin...
T’u paraprijmë të papriturave
e t’i hapim mirë sytë,
për të parë më mirë rrugën,
ku e si duhet ta hedhim hapin
e jetës shpresa t'i japim...
për të arritur në të tjera përjetime,
Teksa ne po presim dhe më tej gëzime...
pse na kujton kaq befas
të nëmurën vdekje,
moj e mira ime...?
Pak herë
jam “puthur” unë me vdekjen
e jam “rinjgjallur,
për të qenë pranë teje,
mikja ime!
Asnjë tingull të mos hyjë
prej fjalës vdekje
sos për mua e sos për vete!
E ç’ma kujton tani laneten?

Nuk dua t’ia dëgjoj emrin lllahtarë
kësaj antijete!
Ti e di fort mirë, moj e mira grua;
Ta kam thënë edhe sy ndër sy
edhe disi veçuar:
“Vdekjen unë e kam "korruptuar..!.”
Megjithatë nga këto gjepura mos u nis.
Me të keqen nuk na lejohet
asnjë kompromis...
dashurinë për jetën
ia kam vendosur vdekjes
ballë për ballë,
përkundruall si barikadë...
Për jetën të përgjërohemi, e duruara grua!
Ndaj merre më shtruar,
e mos na degdis kot së koti
përtej kësaj jete...!
Nuk jam as i fundit,
as i pari, teksa mëtoj jo mbrapsht,
por vetëm përsëmbari...
Kur ti më përmend për veten tënde
të nëmurën vdekje...
A e ke menduar, vallë
si mbetem unë pa ty?
Thjeshtë: një i vdekur...përsëgjalli,
duke lënguar në shtëpi...
Grua, përherë të jam lutur:
mendo për diçka më të bukur;
Përshembull:si mund të lozim
të dy me një “flutur”...
A nuk do ndihemi më bukur?
Do ndihemi edhe vetë në fluturim;
Natyrisht...
Me për një të tjetër titullzim...
Kur “Stërgjyshër”
do titullzohemi ne,
atëherë
do të t’i puth sytë, faqen, ballin
më me ëndje e më me nge...!

Prej gojës sate
kam dëshirë të dëgjoj
të ndjelllësh të mbarën
e kurrsesi tersin.
Ditë të bardha të presim...

j.telo
Gjirokastër, 15 janar 2012