>
LETERSISHQIP

Lezeti I Kohës

Mledhur në kopshtije:
fruta, zarzavate.
Nën diell a hije;
sherr gjer mbasmesnate.

Me radhë e pa radhë
flasin që të tëra.
Njëra: “S’kam të sharë.”
Tjetra: “Shih, si u bëra…!”

Disa – fletëmëdha,
Disa – kërcellgjata.
Disa – kryetlart
e ca nga ndënbalta…

Strukur midis tyre
si një dhi mes delesh
një fjalërrëmbyer
me tjetërsoj gjethesh…

“Unë në kthesë ua marr.
(Foli me potere)
Zë vendin e parë
në kohët moderne.
Sa më vlen lëkura,
ju s’e gjeni dot.
Mos, se u përzura
nga bahçet qysh sot!

Ju s’ma dini emrin.
Mbaj emër latin.
Më mbajnë në zemër,
se jap zjarr…guxim…

Ndodh dhe që pas vrullit,
afshit që sjell unë;
disa bien, humbin;
këputen në gjumë…

Jam lezeti ì kohës.
E shtrenjtë, e re.
Ca më bien kokës.
Botën pa mend le…

Ca fasule strukur
tek thasët me stiva
britën: “Nga është futur
CANABIS SATTIVA…?!