>
LETERSISHQIP

Një Rreze Drite

fragment nga një tregim
Në sytë e tij kishte rënë një rreze drite, që i jepte jetë gjithçkaje që ekzistonte aty brenda e që ishte pa jetë.…Në qelinë e tij kishte veç heshtje varri.Muret ishin të ftohta, plot lagështi dhe vetë ajri ishte mberthyer pas atyre mureve që ishin shndruar në fletë romanesh me jetë të dhimbshme njerëzish.
Në ato mure kishte shënja, eroglife, gërma, numra, emra, kryqe deri edhe tek vizatimi i ndonjë luleje me petale varur...
Në fund të qelisë, mbështetur në mur, qëndronte një djalosh, i vetëm, nuk di në i kishte mbushur të njëzetat, me flokë të verdha e sy të kaltër, me një fytyrë të zbehtë ku lexohej lehte dhimbja që kishte brenda shpirtit.Në atë fytyrë ishte e skalitur dashuria për jetën e lirinë, për të qënë jashtë atyre mureve e për ta parë dritën e pastër qiellore.
Qelia e djaloshit nuk ishte qeli.Ajo ishte një varr, një ferr pa dritë, pa jetë dhe i burgosuri brënda saj, ishte shndruar në një kufomë.As vetë i burgosuri nuk dukej në atë qeli.Vetëm në sytë e tij,
kishte rënë nga lart, përmes dritares së vogël të tavanit, një rreze drite e pastër. Dukej si një dritëz që vinte nga një tjetër botë dhe që rastësisht kishte rënë e shndriste në sytë e tij.
Ai nuk lëvizte fare dhe nuk donte t’ia dinte se ishte hapur porta e qelisë së tij, s’donte t’ia dinte as për oficerët e shërbimit që e vështronin atë, sepse edhe ata, për mendjen e sytë e djaloshit, s’ishin gjë tjetër, veçse dy kufoma të tjera që vinin nga një tjetër botë pajetë dhe vështroheshin si qënie të panjohura, pa shpirtra, pafrymë, por që lëviznin si hije brenda qelisë ku i burgosuri pajetë vazhdonte të qëndronte me vështrimin e mbërthyer tek ajo rreze e vockël e dritës që kushedi nga vinte dhe kishte mbritur në sytë e tij.
Kjo rreze drite ndoshta kishte ngacmuar pakëz mëndjen e tij, por jo shpirtin e trupin e tij.
Ndoshta në atë çast ai ishte duke folur me ndjenjën e shpresës që rrezja e dritës i kishte sjellë në sy...
Petja, një djalosh i ri, i sapo diplomuar, merrte për herë të parë shërbimin e oficerit të rojes.Për herë të parë ai përplasej me birucat ku vuanin kohën e paraburgimit, njerëz për krime të ndryshme, që nga ata të ndaluar për vjedhje pulash, prishje të rendite të qetësisë publike e deri tek ata që ishin akuzuar për agjitacion e propaganda kundër pushtetit apo dhe për tendencë arratisje
jashtë shtetit.
Për herë të parë ai përplasej me fytyra njerëzish të panjohura për të më parë, me të rinj e të moshuar që ngrysnin, gdhinin e tresnin jetën e tyre mes katër mureve të akullta, të erta e ploT igrasi.
Pamja e djaloshit që kishte përpara syve, kishte ndikuar aq shumë në mendjen dhe zemrën e oficerit të ri, sa ai nuk kishte dëgjuar mbylljen e derës dhe s’kishte vënë re që shoku i tij ishte larguar disa metra dhe po e priste që të vazhdonte me tej
marrjen e shërbimit në dorëzim.
Ai ndjente një këputje në trup dhe një turbullim në stomak.Nuk mundi të vazhdonte më tej, nuk bëri dot asnjë hap tjetër, por u mbështet në mur dhe u ul.Ishte gati të rrëzohej në çimento.Djersët mbuluan fytyrën e tij të zbehtë, ndoshta edhe më të zbehtë se ajo e djaloshit të izoluar në atë qeli që sapo e kishte parë.
Shoku që po i dorëzonte shërbimin dhe polici i shërbimit e muarën për krahësh Petjan dhe e çuan në një dhomë në fund të koridorit.Ajri si në koridor, nëpër dhomat e të dënuarve dhe në dhomën
ku e ulën Petjan, ishte i njëjtë. Aq shumë të bllokoheshin mushkritë, sa të vinte për të vjellë.Ata hapën shpejt dritaren të mbyllur nga jashtë me hekura dhe i dhanë ujë për të pirë.
Pas disa minutash Petja e mori veten, por nuk kishte dëshirë të vazhdonte më tej dhe i tha oficerit dorëzues që ta mbyllte vetë shërbimin sa më shpejt e të dilnin jashtë.
Petja gjatë qëndrimit në dhomën ku e lanë për të pushuar, nuk largonte dot nga mendja e nga sytë pamjen e djaloshit që qëndronte i vetem në birucë me vështrimin e fiksuar tek dritarja e
vogël e tavanit.Petja kishte të ngulitur ne vështrimin e tij, sytë e atij djaloshi të mjerë dhe rezen e dritës që kishte rënë në ata sy.
Kur dualën jashtë, ai e pyeti oficerin dorëzues, si e quanin djaloshin, përse ishte ndaluar dhe pse e mbanin në dhomë vetëm.Oficeri dorëzues, një mesoburë, me një fytyrë të parruar, zeshkane me ca vetulla të mëdha si muzhik, e sqaroi Petjan duke i thënëe atë e quajnë Lirim, është arrestuar për tendencë arratisje së bashku edhe me një djalë tjetër. E mbajnë vetëm në dhomë sepse kështu ai e ndjen më shumë peshën e burgut, bëhet më i dobët dhe tregon të vërtetën. U ka ikur mendja këtyre të rrinjve, shikojnë televizorin në kanalet e huaja dhe kujtojnë se bota andej është më mirë se këtu dhe marrin rrugën e arratisjes, por nuk e dinë të shkretët që ne kemi një agjenturë të fortë që e zbulojmë dhe i arrestojmë.
Atë ditë shërbimi, Petja nuk e harron kurrë, jo vetëm për vështirësitë që kishte ai shërbim, për tronditjen e madhe shpirtërore që mori atë 24 orësh prej djaloshit fytyrë zverdhur, mbyllur në atë qeli të ftohtë e me një rreze drite në sytë e tij, por edhe nga problemet e shumta të cilat kërkonin
zgjidhje, dhe që ai për moshën dhe mos pasjen e eksperiencës për këto shërbime, nuk i ezauronte kollaj. Ajo ditë shërbimi ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e tij, sa që edhe sot, ato nuk janë tretur dhe ai i kujton e i tregon me dhimbje.
Po kush ishte djaloshi i arrestuar i asaj biruce me emrin Lirim, i cili mbeti në mendjen e oficerit të ri, Petja.Lirimi vinte nga një familje fshatarësh e cilësuar nga regjimi në pushtet si familje e deklasuar, pasi prindërit e tij kishin qënë të pasur. Sapo kishte mbaruar arsimin e mesëm dhe
punonte në kooperativë.Kishte filluar të shkruante edhe poezi për bukurinë e jetës, për dashurinë e lirinë. Atje në fshat sillej mirë si në punë e në shoqëri dhe ishte i lidhur me punën.Në ditët më pas, Petja kishte mësuar për djaloshin nga i njëjti koleg pune se,
ditën që ishte arrestuar, gjatë kontrollit personal në një nga dhomat e hetuesisë, Lirimi kishte bërë pak fjalë me hetuesin e çështjes i cili i kishte lexuar aktakuzën dhe e kishte pyetur në se kishte ndonjë kundërshtim dhe Lirimi i kishte thënë hetuesit:... E mora vesh, e ka thënë mirë Duma, se fatkeqësitë e prindërve i vuajnë fëmijët...”.Hetuesi i zemëruar, duke mos ditur se kush ishte Duma( Aleksandër Duma) i thotë djaloshit kush është ky Duma, ndonjë shoku jot, pa na thuaj cfarë tjetër të ka thënë se mos e ka vendin edhe ai këtu e bëheni bashkë...Lirimi vuri buzën në gaz, por kjo e tërboi hetuesin i cili e qëlloi me pëllëmbë dhe djaloshit ju mbushën sytë me lot.
Petja kur e dëgjoi këtë histori nga kolegu i vet, kishte qeshur aq shumë sa e la pa mënd kolegun, por pastaj kishte shtërnguar dhëmbët dhe i ishte drejtuar me fjalët”…a ka të tjerë shefa si ky që më tregove sepse kjo është vërtet një tragjikomedi dhe tepër e ulët për organin që mban në punë të tillë
njerëz mediokër e aq më tepër në një sektor kaq të rëndësishëm e delikat siç është ky ku punojmë ne...
Ne shërbimin e rradhës, Petja shkoi tek qelia ku ishte Lirimi, hyri brenda dhe për disa sekonda qëndroi përballë tij e duke e parë drejt e në sy.Lirimi nuk ishte më djaloshi që kishte gjetur para një muaji Petja.Ai kishte ndryshuar, dukej më i rritur dhe në fytyrën e tij dukej një pjekuri e një qëndrim më burëror. Petja e pyeti, ti je Lirimi nga fshati Mekat? Po ju përgjigji ai, unë jam, urdhëroni, jam në dispozicion të pyetjeve tuaja.Jo i tha Petja, nuk kam ardhur të të marr në pyetje, sepse nuk kam asnjë lidhje me çështjen tuaj, por vetëm dua t’u them dy fjalë për të cilat kam ditë që ndjej një ngacmim brenda vetes…Në vazhdim të një përgjigjeje qe i keni dhënë
hetuesit tuaj; se faktkeqësitë e prindërve i vuajnë fëmijët...unë ju përmend
fjalët e mbylljes së atij romani të cilat janë:...Gjithë urtësia e botës, përmblidhet në dy fjalë “Prisni dhe Shpresoni”…besoj se tani bashkë u qaruam.
Petja vuri re se fytyra e djaloshit filloi të ndryshojë e të marrë një pamje fëminore, një pamje që dukej sikur kërkonte që biseda të vazhdonte më tej dhe Lirimi hodhi vështrimin tek dritarja e tavanit, ku u përsërit e njëjta skenë, një rreze dritë u rishfaq në ata sy që e detyroi Petjan të hidhte edhe ai vështrimin ku ishte përqëndruar Lirimi. Vërtet ajo rreze drite që depërtonte përmes asaj dritareje të vogël, për ambientin ku ishin i burgosuri dhe oficeri i shërbimit, ishte e veshur me jetë e liri.
Petjas i kaloi një rrënqethje në trup, doli nga biruca dhe u largua për të vazhduar shërbimin, por mendja e tij qëndronte vetëm tek sytë e djaloshit dhe tek rrezja e dritës që i jepte jetë asaj biruce dhe atij shpirti të burgosur...ndoshta magjia e shpresës për liri ishte në atë birucë, tek ajo rreze drite...
Vazhdon…