Më mbaj mend (për 1 muaj)

Urimi I Juliana Pashës Për Vitin E Ri 2016

Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.8 / Votuan:  12
[31-12-2015]
Këngëtarja mjaft e njohur dhe e dashur për publikun, Juliana Pasha është fituese e shumë çmimeve në festivale. Në skenën e Eurovizionit, na ka bërë të ndihemi krenarë me zërin e saj të mrekullueshëm. Gjithmonë në shoqërinë e Altinit, në jete dhe në muzikë, ajo është bërë tashmë mbretëreshë e performancave live në Tiranë dhe jo vetëm. Viti 2015 e risolli në "Kënga Magjike" me një këngë shpërthyese dhe në këtë intervistë ekskluzive për teksteshqip.com, Juliana sjell urimet dhe planet e saj për Vitin e Ri 2016.

TeksteShqip: Juliana, jeni paraqitur së fundmi në festivalin "Kënga Magjike" me këngën "Vullkan". Na tregoni pak se çfarë eksperience ishte?

Juliana: Kënga "Vullkan" nisi krejt natyrshëm. Meqenëse këtë vit "Kënga Magjike" ishte live pata dëshirën e madhe për të qenë pjesmarrëse. Vendosa të bashkëpunoja me kompozitorin Darko Dimitrov pasi më njeh natyrën e zërit dhe më pëlqejnë kompozimet e tij, që janë gjithmonë këngë të forta dhe profesionale.



TeksteShqip: Si lindi ideja për këngën "Vullkan" dhe çfarë tematike trajton teksti i këngës?

Juliana Pasha: Kur e dëgjova këngën për herë të parë mendova menjëherë Olti Currin për tekstin e këngës. Teksti dhe muzika u përshtatën aq mirë me njëra tjetrën sa çdo notë kishte fjalën e duhur. Jam e lumtur për bashkëpunimin që solli aq bukur "Vullkan". Kënga sigurisht trajton temën e dashurisë që është si një mrekulli kur përjetohet dhe shpërthen si një vullkan. Është një krahasim tepër i goditur nga Olti që shquhet për fjalët e tij të forta në tekste.



TeksteShqip: Fituat "Best Vokal" dhe Çmimin e tretë. Mendoni se jeni vlerësuar sa duhet apo meritonit më shumë?

Juliana Pasha: Ky vit ishte një konkurencë tepër e fortë në "Këngën Magjike" për të pretenduar më shumë. Kënga ime doli javën e fundit në konkurim në "E diela shqiptare" dhe sigurisht që për këngën time ishte e vështirë pasi ende nuk ishte dëgjuar mirë nga publiku, koha për në gjysëmfinale dhe finale ishte tepër e shkurtër. Ndërkohë që pjesa më e madhe e këngëve ishin dëgjuar edhe për javë të tëra. Ndaj pretendimet e mia nuk ishin të mëdha. Por një këngë e mirë mesa duket merr gjithmonë vlerësimin e duhur.

TeksteShqip: A mendoni se ishte i drejtë votimi. Mendoni se kënga "Akoma Jo" e Aurela Gaçes duhet të ishte fituese?

Juliana Pasha: Po mendoj se votimi është i duhur. U jep mundësinë artistëve të nxjerrin në pah karakterin e tyre dhe me anë të një votimi të thjeshtë. Unë realisht i dëgjoj me shumë kujdes këngët pasi dua gjithmonë të jem e drejtë në votimin tim dhe të bazohem në të gjithë faktorët ku njëri prej tyre (tepër i rëndësishëm këtë vit) ishte e kënduara live. Secili nga ne ka preferenca dhe shije të ndryshme muzikore si të gjithë njerëzit dhe kjo është pjesa më e veçantë, nga të gjitha mendimet tona del kënga fituese (që për mua ishte "Akoma jo").



TeksteShqip: Cilat do të jenë projektet pas Këngës Magjike?

Juliana Pasha: Sapo isha e ftuar për të kënduar në koncertin e realizuar nga grupi i njohur i Rock Music "Gjurmët". Dhe me shpresën se do të kem kohën e mjaftueshme për të punuar në studio dua të realizoj dy ose tre kënge të reja këtë vit.

TeksteShqip: A angazhoheni me koncerte dhe ku do jeni për festat e fundvitit?

Juliana Pasha: Festat gjithmonë më gjejnë të angazhuar. Përvec fundjavave, Krishtlindjes e Vitit te ri që do të jem te "Stela Resort" ku prej 5 vitesh tashmë këndoj live. Ditët e para të vitit të ri 2016 do të jem në Prishtinë dhe Gjakovë.



TeksteShqip: Po në jetën private? Si është një ditë e zakonshme për Julianën?

Juliana Pasha: Jam e lumtur që jetën private e ndaj kudo me bashkshortin tim sepse siç besoj tashmë të gjithë lexuesit e dinë, unë dhe Altini jemi kudo bashkë. Ndonjëherë udhëtimet dhe koncert jashtë për ne janë edhe pushime meqenëse jemi me njëri tjetrin kudo. Jam e bekuar pafund.

TeksteShqip: Po për albumet çfarë mendoni? Ja vlejnë sot ato në treg dhe a do të ketë së shpejti edhe Juliana një album?

Juliana Pasha: Nuk mendoj se albumet vlejnë në treg pasi shitje nuk ka. Mendoj se albumet janë thjeshtë një CV në karrierën e një artisti tashmë. Kjo nuk do të thotë që unë nuk e kam menduar seriozisht nxjerrjen e një albumi.



TeksteShqip: Keni marrë një herë çmimin e parë dhe dy herë çmimin e tretë në Kënga Magjike. A do vazhdojë Juliana të marrë pjesë në festivale të tjera?

Juliana Pasha: Asnjëherë nuk them që nuk do të marrë më pjesë. Nëse kam këngën e duhur... pse jo. Skena e madhe më tërheq gjithmonë.

TeksteShqip: Juliana, faleminderit shumë që ishit me ne në këtë intervistë. Urimi juaj për vitin e ri 2016...

Juliana Pasha: Me që jemi në prag të festave besoj se nuk ka më mirë se një urim për të gjithë fansat e mi që unë i quaj "Miqt e mi". Ju uroj një Vit të mbarë, të mbushur me bekime dhe dashuri, me shëndet dhe qetësi shpirtërore, me buzëqeshje dhe pse jo brenda mundësive të secilit edhe me punë e pasuri. Ju uroj edhe ju për punën tuaj. Qoftë një Vit i mbarë për ju dhe për të gjithë fansat e faqes tuaj.
Ju përshëndes Juliana Pasha.
 (B.A/Teksteshqip.Com)


      Juliana Pasha - Vullkan [Teksti dhe Klipi]

Komente 0