>
BIOSHQIP

Juliana Pasha, Intervistë Me Aromë Gatimi

21-11-2012
Imagjinoni pak Juliana Pashën në kuzhinë teksa keni në kokë mënyrën e saj të të kënduarit! Ju do të thoni që ajo i djeg të gjitha për shkak të energjisë që ka. Por jo! Juliana na tregon se është mjeshtre në kuzhinë. Madje ka mësuar të tëhollë petë që kur ishte fare e vogël dhe këtë vit e ka me dy mendje ta bëjë vetë bakllavanë e Vitit të Ri apo ta blejë. Ne kemi folur me Julianën, vetëm pak ditë pasi ka marrë në festivalin "Kënga Magjike" çmimin "Best Vokal". Sot biseda jonë mban aromë gatimi…

Juliana, e konsumon drekën jashtë apo në shtëpi?

Varet, pasi së bashku me bashkëshortin kemi impenjimet tona, po sigurisht që më pëlqen më shumë të gatuaj në shtëpi, edhe për bashkëshortin që ai të shijojë gatimet e mia.

Është kuzhina një ambient qetësie për ty?

Në shtëpinë time diçka nuk më pëlqen, kuzhina, pasi nuk kam edhe aq hapësirë dhe nëse do e ndërrojë ndonjëherë banesën, arsyeja do të jetë pikërisht kjo. Ndihem shumë mirë në kuzhinë. Kur kam mësuar të gatuaj në fillim, e kam bërë për një arsye të veçantë: mendoja veten time në familje edhe pse nuk e kisha krijuar akoma, si një person që patjetër duhet të gatuante. Gatimi është një proces që të bashkon shumë, si çiftin, po ashtu edhe fëmijën me prindin. Kjo ka qenë një nga arsyet që unë u futa seriozisht të mësoja artin e gatimit dhe vërtet ndihem mirë.

Ke mësuar nga librat e gatimit apo në këtë pikë ka bërë punë mami?

Mami ka qenë e para ajo që më ka mësuar. Mua më pëlqente shumë kur ajo të dielave na bënte pitet me djathë. Më vonë pastaj kam parë një program gatimi të njohur në Itali, pasi më pëlqente personazhi që e drejtonte atë emision dhe aty i vura detyrë vetes që patjetër duhet të mësoj.

Në kuzhinën tënde gatuhen gjellë tradicionale apo je e orientuar edhe nga lloje të tjera kuzhinash?

Të dyja. Për shembull: më pëlqejnë rosnicat e Vlorës me pulë. Absolutisht tava e kosit është e preferuara ime dhe nuk e gatuaj nëse nuk kam mish qengji. E dua shumë edhe kuzhinën italiane.

Ke pasur mundësinë të udhëtosh shumë, kujtojmë turin me rastin e përfaqësimit të Shqipërisë në Evrovizion. Me çfarë shije ke ardhur nga ushqimi në këto vende?

Në fakt kur kemi qenë në Slloveni për paraqitjen e këngës atje kemi ngrënë në një lokal shumë tradicional slloven edhe tani nuk me kujtohen emrat e ushqimeve, por gatuanin shumë mirë. Kishte lokale ku mund të shijoje muzikën sllovene, por edhe haje. Në Holandë kam ngrënë gatim indian, shije fantastike! Nuk di, por ata bënin disa qofte që janë të mbushura me oriz, i kam provuar t'i bëj edhe në shtëpi.

Ka qëlluar të të kesh shpikur një gatim "tëndin"?

Unë jam person që i përmbahem shumë recetave dhe nuk është se improvizoj, pasi që të improvizosh duhet të kesh shumë vite në kuzhinë dhe të kuptosh se si kombinohen shijet.

Ëmbëlsira juaj e preferuar?

Nuk mendohem fare, tortën me çokollatë e kam të preferuarën time.

Cili është gatimi që pëlqen të hash nga duart e mamit?

Mamaja im e qan byrekun me spinaq.

Bakllavanë e Vitit të Ri kush e gatuan kësaj here?

(Qesh) Unë di të tëholl shumë mirë, pasi kam mësuar që fëmijë, por këtë vit më duhet ta mendoj se kam shumë angazhime me punën. Dikur për shembull, në shtëpi, bëheshin petët në kuzhinë, më pas i çoje në dhomë se duhet të thaheshin dhe gjithë shtëpia bëhej me miell, por përsëri ishte një kënaqësi e veçantë.
(Shekulli)

Juliana Pasha, Intervistë Me Aromë Gatimi