>
LETERSISHQIP

Erdhe Me Pranveren

Erdhe porsi flutur e qëndrove mbi gonxhe,
Bashkë me pranverën që dimrin la pas,
Të kuqet petale një nga një m’i puthe,...
Mbi gjoks çelën gonxhet, zemra m’u ndez flakë.

Erdhe si fllad i ngrohtë me aromë dehëse,
Si një dallgë e lehtë deti me shijen e jodit,
Që puth rërë e brigje e shkon pas ngadalë,
Duke lënë pas shijen, kripë si të pikës lotit.

Erdhe i ndezur flakë, më the nuk largohem,
Do të ndezim zjarre në qiellin e pastër,
Do vallzojmë me hënën, do vallzojmë me yjet,
Do shijojmë parajsën,sonte për gjithë natën.

Më dhe ëmbëlsinë, flakë më ndeze shpirtin,
Skllav i zemrës time u bëre këtë natë,
Me ty shova zjarrin, kënaqësinë shijova,
Për ty përherë do mbetem një pranverë e artë.