TEKSTI ORIGJINAL
Sorkadhja me sy të bukur
si të qëndisur prej ari,
kush e ka puthur e ndukur,
e ka djegë si zjarr behari.
S`dua trëndafil me erë,
as dafinë e lule bliri,
vetëm dy shishe me verë,
dhe Sorkadhen time te gjiri.
Sorkadhja lule për mua
kur të shoh më ndizet gjaku,
mos më thuaj që s`të dua,
se do t`i them varrit ; - Hapu..
Sevdaja është si rakia
që të vjen mëndja vërdallë,
kështu është dhe dashuria,
kur nuk ke shteg për të dalë.
Kush e shpiku dashurinë
ai krijoi edhe këngën,
se njëra pas tjetrës vinë,
siç vjen dielli me hënën.