TEKSTI ORIGJINAL

Brromp – krismë e parë, rrufe mortare.
E dyta “brromp” t’arrijë të parën…
Krisma e tretë – këmba në valle
përplasur dehur nga shqiptarët.

Tradhtia ra. Bota iu nxi,
qielli iu drodh sikur do bjerë.
Diell i fundit në agoni
i ngriu si gjysëm hënë e prerë.

Gjithë historia jonë vu veshin
në ato krisma breshërie.
Me Pashën tok, prapë dridhej sheshit
kufomë e zezë e çdo tradhtie.

Lajmi me dallgë stuhish në supe
erdhi përmbi stere e dete.
E u bë këngë në tel lahute,
haré në grykë të çdo gërnete.

Në Libohovën që e rriti,
bari e lulet atë verë
po puthnin trungun e atij lisi
ku nëna djepin i kish prerë.

Te harku i tytës-revolver
tradhëtitë, ç’ishin e çdo qenë
dhe mes Parisit panë me tmerr
se sa të ngushtë e kanë folenë.

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme:

ThenieShqip v5.0 © 2024