TEKSTI ORIGJINAL
Sot më hutove, më bëre të harroja
Lutjen e shpirtit që e kam si rit.
“Të vdes për ty!”, atë do të thoja ...
Siç e kam thënë edhe çdo ditë.
Por ti mos më ler të humbas
Në avullin e psherëtimave të mia
Të vdesësh për ty është fare pak
Për mua je jeta, je dhe dashuria!
Nga mungesa e dritës tënde verbohem
Ndihem si trung shkretëtire i djegur!
I vetëm edhe mund të shurdhohem,
Nga klithmat e dëshpërimit të verbër!
Të kam qelën e artë të besës e rrëfimit
Mekën e shpirtit ku falem si pelegrin
Të kam altarin e dielltë të flijimit
Të kam dhe lindje në perëndim!