TEKSTI ORIGJINAL

Ditën e përvjetorit të Aviacionit i thashë Zanës të na bënte një ëmbëlsirë të veçantë si nga Shqipëria. Ajo më pa në sy, për të mësuar arsyen. Festa e aviacionit shqiptar, i thashë unë. Sado pak, unë jam pjestar i forcave luftarake ajrore (fjalët e fundit i thashë me zë krenarie për t’u bërë më bindëse e për të përfunduar te ëmbëlsira. Zana qeshi me butësi femre. E kam me dokument, e në rast alarmi kuadro të tilla thirren në front, shtova unë. Ti e ke parë „dokumentin“…e ia tregova fotografinë e largët.
Kjo foto është nga më të çuditëshmet e disi më aventureskja në jetën time. Më saktë, fotografi me çmënduri.. Qe muaji i prillit 1971, festa e Aviacionit. Siç shihet, jam bërë gati të fluturoj me avjonin luftarak reaktiv. Ai mban vetëm dy vetë, pilotin dhe shoqëruesin. Unë jam ushtarakisht shoqëruesi. Kur lutesha për këtë dëshirë që të fluturoja në qiell si luftarak, s’më shkonte në mënd se nuk qe shëtitje e gëzueshme si vajtja në dasmë. Ndaj para nisjes kam dhe një pamje disi triumfale me rrënjë në tokë e sytë në qiell! Po e botoj siç e kam në kujtesë, dhe si nderim të veçantë për Festën që aviacioni pati këto ditë (pavarësisht se është dhimbje e thellë, të kesh festë pa pasur si duhej atë që feston, si të kesh dasëm pa nuse, por kjo është punë tjetër).
Gjërat që fluturojnë i kam dashur shumë që në vegjëli. Shpesh isha bërë ndjekësi këmba këmbës i zogjve, ndërsa ata më kishin armik. Më duket më njihnin dhe sa më shihnin, pasi më shanin me gjuhën e zogjve, ia mbathnin fluturimit nga të qe më i shpejtë. (Njëherë në muzg, kur zogjtë mblidhen në shtëpi të tyre, zura një zog te streha e çatisë së Mekamit tonë përballë. Kur ia tregova nënës vëndin, ajo e shqetsuar më foli me inat „ik, lëre shpejt ku e more, mos hyr në gjynah…Shpejt! »..Vajta te vëndi, e lëmova zogun, e putha, i dhashë dhe ca thërrime, po për to s’e hapi sqepin (siç duket dhe zogjtë kanë dinjitetin e tyre!) pastaj e lëshova në ajër drejt folesë së tij. Ai ia dha vrapit në qiell dhe humbi në muzg…
Adhurimin për fluturimin e rrënjosa në shpirt sidomos në humnerën e thellë e të frikëshme buzë fshatit. Aty venim me shokë më të rritur. Shikonim honet e errëta ku na dukej se fshiheshin gogolë e lugetër të prrallave…Më të rriturit ecnin përpara si të qenë zogj në vijat e shkëmbinjve. Poshtë në thellësitë e errëta ndihej si jehonë shushurima e fshehtë e ujvarave. Unë rrija më tepër pas me shokun tim të një moshe e shumë të dashur familjarisht Çobo Skënderi. Zogjtë e vegjël dilnin vrullshëm nga një ferrë e futeshin te tjetra më tutje, larg nesh. Shpesh, disa prej tyre fluturonin te bregu tjetër i lekdushëve, për t’u thënë se matanë s’të lënë rehat të çmëndurit e Progonatit!
Më e adhurueshmja jonë, e më e paharruara ish fluturimi i pëllumbave. Ndiqnim me sy udhën e tyre – niseshin me radhë që nga Gurra në krye dhe bënin harqe të bukura si në valle të fisme princash që na i tregonin gjyshet në përralla. Ndiqnin njëra tjetrën sikur bënin një lojë harmonie duke e zbutur disi pamjen e frikëshme të humnerës ndërsa malet rreth i bënin më të shoqërueshme. Ngriheshin lart me shpejtësi të re, i dhuronin ca harqe të bukura qiellit, pastaj uleshin prapë në tokë mbi buzë, si për t’u thënë njerëzve se fluturimi nga toka në qiell nuk ka ndonjë shqetësim të frikshëm…Janë kaq të mirë e të butë pëllumbat, mendoja unë i vogël, po pse u rri dëshira të fluturojnë mbi humnerë…Ja tek ka fusha..Cila është arsyeja! Shoku im mblidhte buzët prej fëmie që të thoshte se nuk e di!…Pëllumbat fluturimin e kishin një dashuri të tyre prej zogu të veçantë. Ndaj vinin rrotull ik e eja, pa u lodhur, thua e kishin valle që lidhte tokën me qiellin. « Pse-në» e spjegimit– nuk e di. Di vetëm që mendimtari romak Ovidi përmënd në shkrimet e tij „Pëllumbat e Kaonisë“ (Kaoni është Labëria, ku humnerat e Progonat-Lekdushit dhe e Nivicës kanë sundimin e tyre sa të frikshëm aq dhe madhështor). Përballë u rri Këndrevica që madhështinë e thellësisë e plotson me atë të lartësisë. Njëra zgjatet poshtë me ëndër qendrën e tokës, tjetra vështron lart, me fantazi kupën e qiellit. Kur s’e arrijnë dot vetë, ua lënë detyrë gjysheve që t’i arrijnë në përralla për fëmijët e tyre.
Mikun tim të veçantë të vegjëlisë, Çobon, e takova një ditë në Tiranë. Ish rritur, e si pilot dukej shumë i hijshëm. U takuam si gjithmonë me mall e dashuri të përherëshme. Ai tanimë qe pilot ushtarak i shkallës së parë. Për të flisnin gjithandej si për një mjeshtër zbritur nga Perëndia. Një ditë, duke e lavdëruar me gëzimin tim, i thashë se ishte ngritur aq lart pasi kish bërë dhe shkollën e fluturimit të pëllumbave mbi humnerë. Qeshi me zemër si ahere i vogël. Më tha më tej, se kur fluturonte me avionin e tij luftarak, takonte që kalonte mbi Progonat, e ulte ca avionin të shihte më mirë, ndërsa fshatarët poshtë brohoritnin me sytë lart e thirrnin se ky është djali ynë! Gjyshja e tij nga nëna, Mirua, që i thoshnim me adhurim « Dadja e shenjtë » e pyeste nëse e kish parë Zotin atje lart!…Kur nipi i thoshte me të qeshur që nuk e kam parë gjëkund se s’ka Zot, ajo me gjithë varfërinë, blinte qiri dhe e ndizte në Mekamin e Shehe! Njëherë, më tregonte, u ul me avion mbi humnerë. Iu afrua shumë pëllumbave. Ato bënë një lëvizje prej balerinash qiellore me harkun oval të tyre duke iu larguar furisë së avionit… Unë bëra tutje. Ato u kthyen prapë si sovrane të përjetëshme të humnerës së errët. Qesha me vete në qiell, me dashuri të veçantë për to, si ahere të vegjël…
Në fund e pyeta me gjysëm zëri si lutje: Si mund të fluturoja dhe unë, vetëm një herë mbi këto buza e përtej mbi male…të shikoja një herë nga lart, …Miku im qeshi lehtë duke ma quajtur dëshirën marrëzi. Pastaj më tregoi sa shkollë kish bërë, këtu e në Rusi, e se çdo fluturim shoqërohet dhe me vdekjen. Veç kësaj, shtoi, nuk të lë mjeku. Nuk duhet të kesh asnjë mangësi shëndeti jo vetëm trupi po as fijet e flokut…Do shqyhen gazi bota kur të dëgjojnë, shtoi duke qeshur, se Agim Shehu është çmëndur, pa kurs e diplomë fluturon me avion ushtarak! Nuk kam ç’të zgjat, lejen mund të ta japë Hitua. Ai të do… »
Takova gjeneral Hiti Çakon. Thamë fjalët e para të përzemërta. Më pyeti se ç’kam shkruar për Kurveleshin! Më erdhi në bisedë, fola gëzueshëm me vete e i thashë se për krahinën që i jemi aq borxh do bëj një shkrim të gjatë, të frymëzuar…- Shumë bukur – tha ai me fytyrë të çiltër e të gëzueshme, dhe shtoi se mund të më gjente ai një makinë të mirë…-Jo, po unë desha të fluturoj me një aeroplan ushtarak-… shtova unë. Ai hapi sytë duke m’i ngulur ato i habitur, se nuk po u besonte veshëve për ato që dëgjoi. – S’të dëgjova mirë, tha. Çfarë kërkove`-? Sytë s’po m’i ndante. Po ndjehesha ngushtë për përgjigjen, dhe ia thashë ne zë të ulët, si lutje me dy mëndje: – Do bëj një shkrim të gjatë të fraymëzuar…- – Po shumë bukur, bëne, do gëzojë tërë krahina- …Veç, ta bëj me aeroplan luftarak, nga lart-.! – Po pse, foli me të qeshur ai, nuk bëhet nga poshtë ajo punë…ai shkrim domethënë – koregjoi shprehjen e tij. – Partia për shkrimtarët thotë ‘gju më gju me popullin’, ti – gju më gju me qiellin!`? Qeshi me zë. Qesha pak dhe unë me humorin e tij të zakonshëm. Më tej, biseda u bë më e urtë, si në një qarje halli: – Po ta them shkurt lutjen, nëse nuk shkel ndonjë ligj, ma bën këtë nder, këtë dëshirë. E kam biseduar dhe me pilotin që do më marrë…- – Po mirë mor djalë, shtoi si i bindur, për Gimen., …e vetëm për Shollët e Xha Salikos që mua më pëlqen mbi të gjitha…ta jap fjalën, por nuk ta jep mjeku lejen, sikur … Shko atje me emrin tim…Veç jo te një kapiten ajri mes nesh që unë s’e di nga është e kush e ka sjellë këtu. Po kjo është punë tjetër…-
U takuam e u ndamë të përzemërt.
Të nesërmen shkova te aerodromi i tyre. Avionët ushtarakë rrinin në resht si një bukuri qiellore ulur sipër tokës. Njerzit lëviznin në detyrat e tyre si në shtëpi të vet. Sot po u veja dhe unë. Sa më panë, të njohurit e shumtë erdhën e më përshëndetën përzemërsisht. U ulëm e pimë kafe duke biseduar. Kur morën vesh përse kisha ardhur, disa hapën sytë, ca buzëqeshnin si për një lodër fëmijësh sipër avionit të tyre, më flisnin të shqetsuar. Një më tha me gjysëm humor: – I dashur poet, avioni ynë nuk është dele të të rrijë urtë dhe kur e shpie ta therësh, është mushkë fodulle që qëllon me shkelme dhe mizat…- – Do bëjë një shkrim të gjatë për vëndlindjen, duke e parë nga qielli – më doli në mbrojtje bashkëfshatari im pilot. Shokët qeshën me sy nga unë…
Më thirri mjeku. U takuam me të. Më pa në sy me buzën në gaz. „Do vesh në qiell? » më tha me një zë të butë dashamirës. „Po – ia bëra me kokë. – Më kërkohet një shkrim… » « Po andej, në qiell do ta shkruash?! » Nuk kuptova, qe pyetje pune, apo humor dhe prita nëse do buzëqeshte prapë. Pas pak ai qeshi. Qesha dhe unë. Nisi të më shihte shëndetin. Më pa me shumë vëmëndje, i kthehej disa herë një dyshimi…Diç mërmërinte me vete…Në fund më përgëzoi duke më shtrënguar dorën: „Për çudi…ke shëndet piloti. Vafsh shëndoshë në qiell e jepu të fala shpirtrave, se njerëz atje nuk ka…“ Qeshi me zemër, mua m’u ngroh shpirti.
Shkova në dhomën ku vishen pilotët. Ndërova rrobat e tokës me ato të qiellit për të fluturuar sa më bindës si ushtarak. U pashë në një pasqyrë, a po u ngjaja pëllumbave mbi humnerë!…Dola jashtë. Piloti me të cilin do fluturoja po më çonte te avioni reaktiv SPARK, në s’gaboj. Të njohurit e shumtë më përshëndesnin me mirësi e po aq me kureshtje të habitëshme. Unë ua ktheja me një buzëqeshje të shkurtër të gjithëve bashkë. Tanimë pas pak do t‘i takoja më shumë qiellit. Piloti bashkëfshatar, shoku im, para se të hynim në avion, ai para, unë pas, më ra gëzueshëm me dorë në sup (m’u kujtua nga dasmat, kur dhëndërit para se të hynte te nusja, i binin fort me pëllëmbë në qafë). Një zë pranë poetit Zeqir Cama më kërkoi që të më nxirrte në fotografi mbështetur te avioni. Edhe pse nuk e njihja, poeti Agim Baceli po më bënte si me merak dhëndëri rregullimet e fundit. Para se të hyja brënda te vëndi im, avionit i lëmova me butësi harkun e metalit, si për ta marrë me të mirë, që të venim e të vinim shëndoshë! Kështu bënin njerzit tanë para udhëve të gjata, duke u përkëdhelur qafën. Por mushka me shpirt të butë si prej njeriu, i kthente përgjigjen të zotit duke tundur zilen për mbarësi…Kurse metali i avionit rrinte i ftohtë pa asnjë përgjigje. Ai s’bënte asnjë marrëveshje me njerzit në tokë, as me të zotin e tij. Në kundërshtim nga njerëzit, ai është mjeshtër i habitshëm por në hapsirën e ajrit!…
Hyra brënda e u ula pas pilotit. Hapsira m’u duk tepër e ngushtë. Po shihja se ç’kishte brënda. Nuk kuptoja asgjë qartë. « Rri qetë e mos lëviz kot!» thirri qetësisht shoku nga përpara duke shtypur ca butonë, njëri pas tjetrit. «Pengohet avioni nga lëvizjet? – pyeta unë. M’u kujtua, t’i shtoja se pëllumbat, pa harta e pa aparate, fluturojnë mbi humnera pa asnjë…Por s’qe me vënd. U ndezën motorët me një zhurmë të fortë e në rritje. Po tundesha dhe unë me gjithë ç’kish brënda. Avioni qe zgjuar në botën e tij. Dukej sikur shkëputjen nga toka dhe nisjen drejt qiellit po e bënte me një lloj alarmi. S’kuptohej se kujt i drejtohej ajo zhurmë e zgjatur dhe e fuqishme! Një çast m’u formua pyetja në mëndje – ku po vemi!..Por u pre menjëherë kur ai filloi rëshqitjen. Zhurma kish brënda dhe zëra ulërime. Për kë e jep këtë ulërimë!? – Rri qetë e mos luaj gjë – përsëriti ai përpara… Avioni u shkëput nga toka dhe mori pjerësinë në ngjitje. « Tani jemi të qiellit » u dëgjua i butë e i gëzuar zëri i pilotit. « Prapë jemi të tokës…ëndërat i kemi në qiell» fola unë nga pas me fjalor poetësh, duke uruar kthimin prapë në tokë shëndoshë e mirë. « Natyrisht, plotsoi shoku duke lëvizur veglat e fluturimit, në tokë e kemi vëndin, qoftë të gjallë, qoftë të vdekur ». S’m’u duk e mirë kjo përgjigje me vdekje, sidomos kur thuhet në qiell. «Ka shumë rënie nga qielli kur jemi në paqe »? pyeta si pa të keq. « Edhe ka – u përgjegj shoku përpara – Nga ndonjë rrufe, përplasje, prishje motori, apo gabim piloti...»
Avioni po fluturonte lart e në qiell të hapur. Bota poshtë qe zvogëluar e njerzit dukeshin si miza në lëvizje të kota. Veshët po më mbusheshin me zhurmë të panjohur, disi të dridhëshme që ta pushtonte të gjithë mëndjen. Tani dhe mëndja po më dyshonte se ku po venim! Avioni çante përpara e bota poshtë ecte mbrapa. E shihja dhe s’dija ç’t’i thoshja. Një çast më mori malli për të, sikur e kisha zëvendësuar me qiellin! Tek e shihja nga lart, po më dukej më e bukur. «Afër këmbëve, ke një si levë anash, foli shoku, kujdes mos e kap, se menjëherë të hodhi me parashutë…dhe e keqja – nuk dihet ku të hedh, thellë prrojeve apo majë pemëve!–Te fjala e fundit ndjeva se po qeshte me vete. Unë mbeta i hutuar. Hodha sytë rrotull, e afër këmbëve pashë levën, një si frenat e makinave. Ajo rrinte e qetë, në dukje pa mëndje të keqe. Me një herë mblodha këmbët me njëra tjetrën. Avioni vazhdonte udhën qiellore shoqëruar nga zhurma e tij e fuqishme. Toka vazhdonte ecte prapa si duke më thënë lamtumirë. E shihja nga lart e më mori malli për të. «Shiko poshtë Cërriku – foli piloti përpara. E vështrova pa folur. Atje diku është Liri Belishova e dënuar, fola me vete, por në avionin luftarak e largova këtë mendim me emrin e saj.
Po vazhdonim përpara udhën e ajrit. Herë herë zhurma e avionit, e rëndë dhe e pushtetëshme i ngjante një bubullime të mbyllur që na shoqëronte pas. „Mali i Tomorit përpara » – njoftoi shoku me zë të ngritur. E pashë me vëmëndje dhe hutim adhurimi. Mëndja afroi Naimin për malin e Shenjtë « …fron i lartë ku rri Zoti… » Po shihja se në ç’pikë të tij e ka fronin Zoti! Po afroheshim gjithnjë e më shumë tek ai, e në të njëjtën kohë ai po lëvizte drejt nesh për të na mirëpritur, si në zakonin e miqësive. Zhurma e motorit po e bënte më madhështore takimin, duke na e afruar si rit që nga ilirët. Po kalonim mbi të. Shikova poshtë ku qe Froni!…Po të tërhiqja levën, do bija me parashutë sipër tij…Avioni kaloi shpejt mbi të. Unë për siguri i futa më tepër duart në xhep dhe këmbët ngjitur me njëra tjetrën i tërhoqa më mbrapa. Pamjet e tokës po ndroheshin njëra pas tjetrës. I kërkova shokut të kalonim pak dhe mbi Gjinokastër. Afër vijës së kufirit avioni do bënte harkun e kthesës. Ai bëri përmbysjen e tyre, një krah lart, tjetri poshtë, dhe unë mbeta disi kokëvarur. «Mos e përmbys kështu – i thashë me zë lutjeje shokut. Duke qeshur, ai ma ktheu se po të mos e rrotulloj ashtu, vemi në Greqi!… Avjoni po ecte më gëzueshëm. Hodha sytë mbi varrezat e kërkova vëndin ku prëhej nëna… Te sheshi i xhadesë dyzakët (binjakët) e mi me shokë, siç ua kisha thënë orarin, më përshëndetnin nga poshtë duke thirrur gëzueshëm me duart lart. Vështrova me mall ngjyrën e verdhë diellore të gjimnazit…I lamë pas e vazhduam më tutje. Gryka e Rehovës drejt Golëmit. Maja e Mollës ku veroja në stanin e dajove.
E kish në mëndje kryesoren, – të kalonim mbi Progonat. Zhurma që po rritej vëndlindjes i vate e para. Fëmijët që ishin mësuar me avionët e bijve të tyre, filluan brohorimat me duart përpjetë. Kalo te humnera – i fola me zë lutjeje shokut. Avioni bëri një ulje te Gurra. Pëllumbat sa e dëgjuan nga larg, qenë mësuar që t’i hapnin udhën duke kaluar nga ana e Lekdushit. Avjoni po shkiste si mbi vijën e dallamdysheve. Te humnera ktheu disi vertikal krahët dhe po shkiste mes shkëmbijve. Me kokën varur, humnera qe ngritur mbi mua. Ujvarat më rrinin sipër por nuk më lagnin. S’po kuptoja se ku ndodhesha. Dolëm në hapsirë dhe vazhduam sipër maleve. Befas avioni bënte ulje të menjëherëshme thua se do të binte. « Mos u trëmb – njoftonte piloti, – janë gropa ajri, ‘balltanie’ u thonë rusët. Mbi Labëri ka shumë të tilla. » « Pse në Labëri »? pyeta unë. «Se në Labëri, ajri është konsumuar më shumë nga zjarret që i bënë bandat fqinje» tha piloti me gjysëm humor. «Për më saktë, vazhdoi, të pyeten shkencëtarët». Dolëm përballë detit. Bluja e bukur e tij bashkon tokën me qiellin. Avioni dukej sikur shpejtonte. Frymëmarjen po e ndjeja të lodhur. Koka po më rëndonte. « Shiko ajo anije në det…-foli piloti – sa bukur duket! Po e ul avionin ta shohim më mirë! » – Duket mirë dhe nga lart!- fola unë me zë të lodhur si lutje. Piloti po qeshte gëzueshëm me vete, dhe vazhdoi udhën.
Dolëm përballë aerodromit. « Zbritja është çasti më i rrezikshëm – foli shoku im pilot. – Po doli mirë dhe kjo… » Nuk e kuptova mirë këtë, dhe pyeta butësisht, pse rreziku të jetë në fund, kur zbret!… »Sepse, shtoi si poet shoku në timon, ndoshta toka është xheloze kur rrimë shumë në qiell, larg saj! Mbase…- Pastaj po drejtonte zbritjen. Avioni e bënte më të fuqishëm zërin, si nga gëzimi që do përqafonte mëmën e vet, tokën. Në vrullin e fundit, përrshkoi me shpejtësi të shtuar pistën dhe ndali. Shokët që na prisnin, disa nga kureshtja për mua, thirrën me brohori gëzimi e kureshtjeje. Po mundohesha të dilja jashtë. Pashë levën e parashutës. «Tani s’ke ç’më bën – i fola asaj me dashuri që sidoqoftë u soll e urtë. Zbrita në tokë. Po më merreshin mëntë e mezi i hidhja këmbët. Herë herë toka po më rrotullohej. Më vanë sytë lart. Qielli po vështronte se si dukesha me këmbë në tokë… Tunda kokën të vendosja rregullin e trupit. Erdha disi në vete e po ecja lirshëm. Shokët po më shihnin me habi. Më hodhën krahun e shkuam të pinim kafe. Bisedat me pilotët janë të pakrahasueshme nga fisnikëria e dinjiteti i tyre. Ndoshta ngaqë njeriut ato i vinë nga hapsira e tokës dhe e njeriut bashkë…
(Disa kohë më vonë, Agim Bacelli, në një tubim letërsie në Nju Jork më tha në afri shoqërie intime, se kur zbrita nga avioni, mes të tjerash kisha thënë çiltërisht se atje lart në qiell « U ndjeva i lirë »! Shprehje e dënueshme për kohën. Por dy shokë që e dëgjuam afër, heshtëm. Unë nuk e mbaja mënd. Sidoqoftë, e përgëzova miqësisht)…
…U ktheva në Gjenevë, te biseda me time shoqe. Me gëzimin e ëmbëlsirës së zgjedhur që gatuante, i thashë se kjo fotografi e veçantë është si dëshmi diplome për pilot, qoftë dhe si shoqërues…- Gruaja qeshte me vete. Në rast urgjent, shtova unë, mund të shkoj në detyrë me të më thirrur…- Tani, në moshë pleqërie do ta bësh këtë heroizëm, të të hajë diku qielli?- pyeti me buzë në gaz ajo.- Si erdhi puna apo fati, ia ktheva unë, më mirë ta marrësh nga qielli varrimin…Ndoshta kështu, si viktima të botës së tyre e larg vëndlindjes, do t’i kemi dhe ëngjëjt më afër. –Në vënd të përgjigjes, Zana po zbukuronte ëmbëlsirën

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Teksti i kartolinës duhet të përmbajë 1-6 rreshta:

ThenieShqip v5.0 © 2024