TEKSTI ORIGJINAL

Më erdhe si një engjëll në kraharorin tim
dhe të desha fort, siç syri do dritën,
pranverë u bë dimri, behar shpirti im,
ca ndjenja të pamatshme mbi gjithçka u ngritën!

Sa e sa mëngjese do të zbardhin pa gjumë,
duke të t’parë ty sesi ndryshon përditë
dhe globi nuk paska bukuri më shumë
se buzëqeshja jote kur s’pari shkënditë!

Bekimin ti merr prej meje
në çdo udhë të jetës,
në çdo hap të saj
përqafoje ëndrrën
me afsh të së vërtetës
dhe bëhu, që dikush
t’ketë dëshirë të të ngjajë!

Do rritesh me dëshira përkrah fëmijëve të botës
ku puna e dashuria janë i vetmi qëllim,
të mplakesh duke mësuar mbi librat e kohës
e kohës t’i ngjash gjithmonë, biri im!

Jetëbardhë të më rritesh në këtë truall të vjetër
me hijeshinë e malit e bukurinë e detit,
asgjë s’ka në botë që duhet ta kesh patjetër,
përveç lirisë dhe identitetit!

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme: