TEKSTI ORIGJINAL

Ndoshta do të shëtitem deri në fundin e botës
Po ti nuk do jesh aty që të shoh pafundësinë e syve të tu,
Ëndrrat do më marrin me vete gjer në amshime t’largëta
Po ti s’do m’falësh buzëqeshjet që do më mbrojnë
N’zemër do më ngjiten zjarre t’fuqishme pasionesh
Po ajo e jotja s’do afrohet të m’i shuajë shqetësimet
Ja, o shpirt, dallgët e këtij lumi përçajnë në mes qytetin
Dhe marrin me vete lotët e mi pa mbarim
I derdhin në fundin e këtij Deti Veriu,
Po ato dallgë puthjesh nga buza jote e ëmbël
Kanë turbulluar shpirtin tim që lëkundet si busull e prishur
Gjilpëra e tij e thyer s’iu tregon rrugën mëkatarëve si unë
Ka ngelur aty ku ti dhe unë marrim kthesa të kundërta...
Po bie nata e zbehtë, ky qytet nuk mbulohet nga terri
Vetëm mua vetmia m’i skuq sytë e më pret fytin!
Po sa dua të të dëshiroj një natë të mirë
Dhe të jetë e fundit... për sonte... e pastaj nesër
Mos të mendoj më për ty
Mos të dëgjoj zërin tënd as në ëndrra
As kur eci rrugëve ku më çojnë këmbët
Dhs mos të shkruaj më kurrë asnjë varg
Por, ja sa keq... gjithnjë po shkruaj,
Dhe poezia për ty s’ka fund
Siç s’ka fund kjo dashuri brenda meje...

📋 TEKSTI I KARTOLINËS

Seleksiono 1-6 rreshta nga teksti origjinal dhe tërhiqi/ngjiti në hapësirën e mëposhtëme: