>
BIOSHQIP

Kledi Bahiti: “Së Shpejti Kënga E Re Me Besën”

27-02-2014
I fokusuar në studion e tij të regjistrimit, kantautori Kledi Bahiti ka mundur të shkëputet disa çaste për të treguar në “Pink Report”, të rejat përsa i përket jetës artistike dhe jo vetëm. Në këtë rrëfim ai vjen mjaft i çlirët duke treguar projeket e reja të cilat do të vijnë së shpejti për publikun dhe fansat.

Meqë jemi në studion tënde muzikore, ku frymëzohesh për të kompozuar dhe a e ke parë veten duke e gdhirë herë pas here. Do doja të ndalesha në fakt tek vështirësia që sjell diçka e tillë në jetësën tënde?

Vështirësia e vetme është, që më është kthyer regjimi mbrapsht, pasi sistemi im nuk nis normalisht në mëngjes, por fillon nga dreka ose nga pasditja, duke u dashur të punoj deri në orët e para të mëngjesit. Është e lodhshme por, krijon edhe njëfarë imuniteti duke qenë se njeriu mësohet me çdo gjë, duke krijuar edhe këtu imunitet.

Duke u ndalur tek kënga e fundit, ku në fakt je dhe vetë këngëtarë duke sjellë një bashkëpunim me këngëtaren Samanta Karavella. Çmund të na thuash për feedbackun e këtij bashkëpunimi të ri?

Duke parë ecurinë e këngës unë jam tejet i kënaqur sa i përket feedbackut që kam marrë. Është një tematikë sociale dhe një zhaner ku të themi të vërtetën ballkanasit duke dashur ta zgjeroj disi, nuk e gjejnë shumë veten, duke patur parasysh problemet që njerëzit kanë nuk duan t’ja shtojnë ato edhe sa i përket këngëve, ata janë më tepër të këngët alegro ose “happy”. Megjithatë, do të thosha që jam mjaft i kënaqur, Samanta gjithashtu.

Përse zgjodhe këtë tematikë duke theksuar që ndoshta këto tema nuk pëlqehen…?

Në fakt nuk duan të pëlqehen, jo se nuk pëlqehen dhe unë e kam realizuar këtë material në mënyrë që çdokush të gjejë veten. Jeta na ofron shumë ngjarje dhe ndonjëherë ne harrojmë të vlerësojmë gjërat që vërtet duhet të vlerësojmë. Duke marrë shpesh spunto nga vetëkënaqësia që arrijmë, harrojmë njerëzit tanë të afërm, dashurinë dhe të tjera gjëra.

Samanta është bashkëpunëtorja jote e hershme në muzikë, përse zgjodhe që ta kishe edhe partnere në këngë?

Sigurisht që Samanta ishte opsioni im i parë dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi e njoh prej kohësh, njoh talentin e saj. Ajo jep goxha nga vetja dhe janë të rrallë këngëtarë të tillë. Bashkëpunimi jonë është i hershëm që prej 7 ose 8 vitesh përpara kur ishin fillimet tona ‘live’ dhe më bëri çudi sesi një vajzë e vogël mund të kishte atë talent. Pasi bëra “demon” i them Samantës të vinte dhe ta këndonte thjesht për provë dhe sapo ka kënduar dy frazat e para e kam kuptuar që ajo ishte çka më duhej për këngën.

Në bashkëpunimet e tua nuk është vetëm Samanta, është edhe këngëtari Vedat Ademi, i cili është një nga bashkëpunëtorët e tu më të ngushtë. Do të kemi ndonjë risi përsa i përket bashkëpunimeve?

Rrugëtimi im në rrugën e këngëtarit ka nisur tani dhe doja ta theksoja se nuk jam këngëtar profesionist apo jo profesionist, thjesht dëshira ime është që disa nga materialet që i kam mjaft të dashura, t’i këndoj vetë në bashkëpunim me një këngëtar tjetër të muzikës shqiptare. Ndoshta Vedati mund të jetë i dyti apo i pesti (qesh) nuk e di, por sigurisht që bën pjesë edhe Vedati pasi është një nga bashkëpunëtorët e mi më të hershëm dhe më të dashur, sapo pata një produksion me të.

Ndërkohë në rrjetet sociale është publikuar një foto me këngëtaren Besa Kokëdhima. Kemi ndonjë surprizë në horizont?

Sigurisht edhe me Besën presim të realizojmë diçka, kemi projekte dhe po shohim materiale dhe së shpejti do të vij singëlli i parë, por nuk mund të zbuloj më tepër për momentin.

Doja të ndalesha edhe tek dalja e parë si këngëtar e cila ka qenë me një këngë të dedikuar vëllait tuaj. Ç’mund të na thoni për të, pasi besoj është disi më e veçantë për ju?

Ajo këngë hyn tek materialet më të veçanta për mënyrën se çfarë trajton. Jam ndjerë shumë me fat që kam bërë atë këngë dhe në momentin që ka përfunduar nuk reshtnim së qari me këdo që e dëgjonim.

Po sa i përket jetës private çfarë mund të na thoni?

Mirë, jam duke punuar…duke plotësuar ndonjë fjalëkryq(qesh).

Këtë mund ta marrim si një “no comment”?

Po(qesh).
(xh.k/shqiptarja)

Kledi Bahiti: “Së Shpejti Kënga E Re Me Besën”