>
LETERSISHQIP

Në Skaj Do Shndrisë Dhe Magjepsë Aurora

Qytetit, tigrit plak i ngriu mustaqja, i humbi nuhatja,
Është në karantinë, angështi, mbuluar me maskë.
S’ndjen erën e freskët të kësaj pranvera të vonë.
Sytë i ka me sklepa, s’vë re qiellin e kthjellët, pa re.
Përtej dritares është ndehur vështrim i trishtuar i një fëmije.
Ëndërron, të bëjë diellin top, të vrapojë në fushë, të luajë,
Por qielli u errësua nga shpendë të zinj, krahë gjatë.

Si zvarranikë të ngrirë dergjen në shkreti rrugët e zbrazëta,
Njerëz të mpakët, somnambulë dhe, qen, mace me maska.

Na mpiu mpirja, duhet të nxitojmë, por shmangemi nga njerëzia,
Na duhet të rrimë në radhë, të furnizojmë me ushqim shtëpinë,
Pas na ndjek si sfinks, hija e përdredhur e vetes dhe e të tjerëve.
Me hapësirë drithëruese hendek i thellë, dy metra.
Kur, ndërkohë fshehur, përgjon si nepërkë sëmundja.

Ulur në stola kolliten pleqtë, mbështjellë këmbët me kuverta,
Duan të tregojnë përralla për pyje të largëta,
Burime që gurgullojnë dhe liqene të kaltra të kaltra,
Luanë në savanë, zogj pendë artë dhe bilbila.
Por dëgjohet vetëm mbllaçitja dhe shkrofëtima.

S’mundemi të lëvizim si më parë,
Gjërat më të thjeshta
Si fjala vjen, një tufë lule taçe në lëndinë
Tashmë ngjajnë të largëta, si breg i fildishtë,
Dhe të lënduar mbi to pikon loti drithërimë,
Mbi një mollëze të njomë shenjtërie,
Nënës i dhembin krahët nga puna, s’mund ta fshijë.
As dhe nënëmadhja plakë me thinjë.
Në mësallën madhe mbarte urata shpirtërore,
Të përmallshme shekullore.
Por e rënduar nga vitet, rënkoi dhe, s’pati kohë,
Nata i mbylli sytë dhe iku me karrocën mortore.

Nuse bukura s’mund të thurë kurorë nusërie,
Loti drithërima e hutoi, s’dha puthje të ëmbla në buzë.
S’pa të çelnin lule pranvere në qëndismë,
U tha pa mundur të buisë,
S’dëgjoi fjalë zemre dhe këngë dëlirësie,
U shfry defi i sjellë prej Skocie,
Mbuluar maska dhe doreza plastike.
I shkundi, i leqendisi korona viruse,

E ftohta e hidhur mpiu ëndrrën e brishtë,
Mezi dëgjohen së largu ninulla fëmijërie,
Mezi pret ta prekësh, përqafosh me afsh dashurie,
Por një dashuri ka të pafund sfilitje,
Si zogu në kuvli mbyllur në karantinë.
Të çdo feje, mendësie, ngjyre dhe kombësie,
Përfshirë nga ankthi dhe marrëzie,
Frikë, amulli, paralizë ekonomike.

Në mbrojte të së shtrenjtës jetë,
Duhen të përzëmë sa mundim hijet e vetes dhe të tjerëve,
Të shpresojmë në pritje të muajve që vijnë…
Njerizimi ka kaluar sprova më të mëdha.
Vogëlushja s’mund të veshë fustankë të ronitur nga akthi e frika.
Por fustan pranverë të vërtetë besimi; lule bardha dhe lule bora.
Do i çelë fëmijës, si qershi buzëqeshja,
Nusja ëndrra do endë dhe puthë buzëqeshja.
Në skaj do shndrisë, magjepsë Aurora.

Më shumë nga Kristaq Turtulli