>
LETERSISHQIP

Toka Ndërron Shtatin

Trimi merr në shenjë
Toka është mburojë
Trimi na është rrëzuar
Toka është bërë shtrojë.
Si e kërkojnë trimat
Ndërron shtatin Toka
Që në log betejash
T’shpëtojë mijëra koka.
Se atdheut i duhen
Prapë lisat në kodër
Bij që kurrë nuk lënë
T’shuhet zjarri n’vatër.
Shpesh u ndërruan fronet
Në Tokën tonë të kuqe
Porse gjithë pushtuesit
Me të njëjtat huqe!
Dëshirë të përmotshme
Të grabisin jetëra
Dhe të luajnë me to
Si langonjtë me eshtra!
Po edhe ne patëm
Gjithë të njëjtin huq –
Mbi kalanë e kuqe
Lart bajraku i kuq!